Shumica e mësimeve klasike fetare lidhur me muajin e Ramazanit insistojnë në respektimin e rregullave si dhe dimensionin e thellë shpirtëror të këtij muaji të agjërimit, privimit, adhurimit dhe meditimit. Nëse do te thellohemi më tepër, kuptojmë se ky muaj bashkon kërkesa të qarta kontradiktore të cilat, sidoqoftë, së bashku ndërtojnë universin e besimit.
Te reflektuarit mbi këto dimensione të ndryshme është përgjegjësi e çdo personi të vetëdijshëm, çdo gruaje, çdo mashkulli dhe e çdo komuniteti të besimtarëve, kudo që të jenë. Ne nuk mund ta nënvizojmë asnjëherë mjaftueshëm rëndësinë e “kthimit kah vetvetja” që kërkohet gjatë këtij muaji të agjërimit.
Ramazani është muaji i ndryshimeve të menjëhershme; kjo e vërtetë vërehet këtu më së qarti se kudo tjetër. Në zemër të shoqërisë sonë konsumatore, të mësuar që të kemi qasje të lehtë ndaj të mirave materiale, të udhëhequr nga një individualizëm i theksuar i përditshmërisë sonë, ky muaj kërkon nga çdonjëri që t i kthehemi qendrës dhe kuptimit të jetës sonë.
Në qendër është Perëndia dhe zemra jonë, siç na rikujton Kur’ani: “… dhe dijeni që (njohja e) Perëndia qëndron në mes njeriut dhe zemrës së tij.” Në qendër, çdokujt i jepet mundësia që të hapë përsëri dialog me Të Lartësuarin dhe me më Të Afërtin… dialog të intimitetit, të sinqeritetit, të dashurisë. Të agjërosh do te thotë të kërkosh… me arsye, durim dhe besim… të drejtën dhe paqen me vetveten. Muaji i Ramazanit është “Muaji i domethënies”… Pse është e rëndësishme kjo jetë? Çfarë vendi ka Perëndia në jetën time? Çfarë vendi zë nëna dhe babai im… qoftë të gjallë apo kur kanë ndërruar jetë? Çfarë vendi zënë fëmijët e mi? Familja ime e gjerë? Komuniteti tim shpirtëror? Pse ekziston ky univers dhe njerëzimi? Çfarë domethënieje i kam dhënë jetës sime të përditshme? Me çfarë domethënieje mund të jem konsistent?
Profeti Muhamed (PZQMT) ka paralajmëruar: “Disa njerëz përfitojnë nga agjërimi i tyre vetëm që janë të uritur dhe të etur”. Ai e ka pasur fjalën për ata qe agjërojnë mekanikisht ashtu siç hanë. Ata e privojnë veten nga të ngrënit me të njëjtën pavetëdije dhe të njëjtën mendjelehtësi siç janë mësuar të hanë dhe të pinë. Në fakt, ata e transformojnë agjërimin në traditë kulturore, modë të momentit, mbase muaj të banketeve dhe “netëve të Ramazanit”. Agjërim i tëhuajësimit ekstrem… agjërim kundër domethënies se vërtetë te Ramazanit.
Ashtu siç na çon drejt horizonteve të thella të vetëshqyrtimit dhe domethënies, ky muaj na rikujton rëndësinë e detajit, saktësisë dhe disiplinës gjatë praktimit të besimit. Dita e parë e Ramazanit duhet të caktohet me rigorozitet; ora e saktë para agimit kur duhet të privohemi nga ushqimi; lutjet duhet të drejtohen “në momentet e caktuara” dhe me saktësi caktohet momenti i përfundimit të agjërimit.
Mu në kohën e meditimit tonë të thellë me Perëndinë dhe vetveten, është e mundur të shkrihemi në ndjenjën tonë se kërkimi i domethënies është aq i thellë sa duhet t’i lejohet të tejkalojë të gjitha detajet e rregullave dhe agjendave. Por, përvoja e tashme e Ramazanit na mëson të kundërtën: nuk mund të ketë spiritualitet të thelluar, kërkim të vërtetë të domethënies pa disiplinë dhe ashpërsi në menaxhimin e rregullave që duhet të respektohen dhe kohës që duhet zotëruar.
Muaji i Ramazanit bashkon thellësinë e domethënies dhe saktësinë e formës. Ekziston “inteligjenca e agjërimit”, që lind nga vetë realiteti i bashkimit midis përmbajtjes dhe formës: të agjërosh me trupin e vet është shkollë për stërvitjen e mendjes. Ndryshimet e menjëhershme të nënkuptuara nga agjërimi janë ftesë për transformim dhe ndryshim rrënjësor të vetvetes dhe jetës së vet që mund të ndodhë vetëm nëpërmes vetëreflektimit rigoroz intelektual (muraqaba).
Që të arrijmë qëllimin përfundimtar të agjërimit, besimi ynë kërkon mendje gjurmuese, lucide, të sinqertë dhe të ndershme, me aftësi vetëkritikuese. Çdo person duhet të jetë i aftë ta bëjë këtë për vetveten, para Perëndisë, brenda vetmisë si dhe brenda përkushtimit ndaj njerëzimit. Kemi të bëjmë me zotërimin e emocioneve, ballafaqimin me vetveten dhe marrjen e vendimeve të drejta për transformimin e jetës së vet me qëllim të përafrimit ndaj qendrës dhe domethënies.
Myslimanët sot kanë më tepër nevojë se kurrë të pajtojnë vetveten me mësimin e spiritualitetit të thellë, së bashku me ushtrimin e inteligjencës rigoroze dhe kritike. Në kohën kur jemi të rrethuar nga frika, ku dyshimi është përhapur kudo përreth, ku myslimanët janë në sprovë për të mbrojtur vetveten dhe në mënyrë konstante të dëshmojnë pafajësinë, muaji i Ramazanit është thirrje për të treguar dinjitetin e tyre si dhe përgjegjësinë. Me shumë rëndësi është të mësojnë t’i kontrollojnë emocionet e veta, ta tejkalojnë friken dhe dyshimet e veta, si dhe të kthehen tek esenca me besim dhe siguri.
Është po ashtu imperativ që ta bëjnë rregull për vetveten që të jenë rigorozë dhe të drejtë në vlerësimin e sjelljeve të veta, individuale dhe kolektive: vetëkritika dhe vetereflektimi kolektiv janë esenca e çdo hapi për të arritur transformimin e vërtetë brenda komuniteteve dhe shoqërive myslimane.
Në vend të fajësimit të “atyre që dominojnë”, “Tjetrit”, “Perëndimit” etj., është e domosdoshme të nxjerrim mësime nga Ramazani: Ti je, në të vërtetë, ajo që bën nga vetvetja. Çfarë bëjmë nga vetja sot? Cilat janë kontributet tona në fushën e arsimit, drejtësisë sociale dhe lirisë? Çfarë bëjmë për të promovuar dinjitetin e femrave, fëmijëve ose të mbrojmë të drejtat e të varfërve dhe personave të margjinalizuar në shoqëritë tona? Çfarë modelesh të spiritualitetit motivues, inteligjent dhe aktiv ju ofrojmë sot njerëzve përreth nesh? Çfarë kemi bërë me mesazhin universal te drejtësisë dhe paqes? Çfarë kemi bërë me mesazhin tonë të përgjegjësisë individuale, të vëllazërisë njerëzore dhe dashurisë?
Të gjitha këto pyetje janë në zemrat dhe mendjet tona dhe ka vetëm një përgjigje të frymëzuar nga Kur’ani dhe të ushqyer nga muaji i Ramazanit: Perëndia nuk do të ndryshojë asgjë për të mirë nëse ne nuk ndryshojmë asgjë.
Përkthyen: Bernard Çobaj dhe Ismet Kallaba