Mali i Zi është i vetmi vend në Mesdhe që importon kripë. Ndërmarrja më e vjetër në Ulqin, e themeluar në vitin 1934, dhe zonë unike në brendësi të Plazhit të Madh është shkatërruar sistematikisht gjatë dy dekadave të fundit dhe deri më tani askush nuk ka marrë përgjegjësi për këtë gjë.
Edhe pse çdo gjë është falas (uji i detit, dielli, era), prodhimi i arit të bardhë të Ulqinit është i paqëndrueshëm, u tha nga adresat shtetërore. Madje disa planifikues qeveritarë thanë se prodhimi në Kripore dëmton mjedisin natyror!? Rezultat i trajtimit të tillë të kësaj zone të bukur me sipërfaqe 15.2 milionë metra katrorë është se ajo është kthyer në një kënetë me ujë të ëmbël.
Për kthimin e jetës, punëtorëve dhe shpendëve në Kripore është plotësuar parakushti i parë: toka e Kripores është shpallur pronë shtetërore në korrik të vitit të kaluar, me vendim të Qeverisë së Malit të Zi. Një tjetër parakusht është që ajo të prodhojë kristale kripe.
Vendimi nëse çmimi i tregut u pagua për Kriporen u prit për më shumë se një dekadë. Fondi i përbashkët i investimeve “Eurofond”, i cili kontrollohej nga biznesmeni kontrovers Veselin Baroviq, pagoi rreth 800,000 euro në bursë në vitin 2005 për blerjen e Kripores (me aksione të kursimeve të vjetra në valutë).
Dy vite para blerjes, vlera e kësaj kompanie vlerësohej 110.3 milionë marka gjermane, që është e barasvlershme me rreth 55 milion euro.
Çmimi në tenderin e fundit, të 15-in, për shitjen e kësaj kompanie, i cili u shpall në mes të marsit të vitit 2019 nga administratori i atëhershëm i falimentimit, Zharko Ostojiq, ishte pak më shumë se 130 milionë euro. Pak vite më herët, në tenderin e parë, çmimi ishte gati dyfish më i lartë, apo 257.8 milionë. Pra, mbi 300 herë më shumë sesa është blerë paketa e shumicës së aksioneve!?
Komuna e Ulqinit pohon se ka hartuar Planin e Menaxhimit, të cilin ia kanë dorëzuar Qeverisë. Më herët kanë theksuar se derisa të zgjidhet çështja e pronësisë, kjo vetëqeverisje lokale nuk do ta marrë përsipër menaxhimin e Kripores.
Kronologjia e agonisë
Me ardhjen e Eurofondit në Kripore, dy dekada më parë, filloi agonia e vërtetë e kësaj kompanie dhe e punëtorëve të saj dhe shteti e institucionet e tij me gjithë zemër e ndihmuan atë fond të realizonte skenarin e planifikuar.
Për t’i dhënë vrull projekteve të menduar në Kripore, në “oborrin e saj”, në Port Milenë, u ndërtua ura madhështore me vlerë 14 milionë euro. Sigurisht, me para nga buxheti i shtetit. Pas kësaj, Kripores iu hoq koncesioni për prodhimin e kripës.
Në vitin 2014, Kripores iu ndërpre edhe energjia elektrike për shkak të një borxhi ndaj kompanisë shtetërore, Elektro-ekonomisë së Malit të Zi (EEMZ), me vlerë 20,800 euro.
Paraprakisht, autorët e Planit Hapësinor të Malit të Zi, në fund të miratimit të këtij dokumenti në vitin 2008, dhe larg syve të opinionit, kanë ndryshuar mënyrën e përdorimit të tokës në Kripore, respektivisht kanë parashikuar që aty mund të ndërtohet një resort turistik. Qeveria dhe Parlamenti i Shtetit më vonë vetëm e miratuan këtë plan.
Megjithatë, në vitin 2012, Parlamenti i Malit të Zi miratoi një vendim që i ktheu Kripores së Ulqinit statusin e zonës së mbrojtur, kurse katër vjet më vonë, pas ankesës së Eurofondit, Gjykata Kushtetuese e shpalli këtë vendim jo kushtetues. Në sqarim, Gjykata Kushtetuese theksoi se parlamenti i shtetit i ka tejkaluar kompetencat e tij, përkatësisht e ka përjashtuar Qeverinë nga e gjithë procedura, e cila, siç theksuan, me ligj propozon Planin Hapësinor kurse Kuvendi e miraton.
Ndërkohë, numri i punëtorëve në Kripore ka qenë në rënie të vazhdueshme: nga 450 (1995) në 70 (2014). Arsyeja më e zakonshme e pakësimit të fuqisë punëtore ishin pagat shumë të ulëta, si dhe një atmosferë e keqe në kolektiv.
“Kripa prodhohej çdo vit (përveç vitit 2002), por menaxhmenti po bëhej gjithnjë e më i uritur dhe gjithnjë e më pak para caktoheshin për punonjësit dhe gjithnjë e më shumë për nevojat e tyre (personale). Po ashtu, ka ndryshuar edhe udhëheqja, por parimi i punës nuk ka ndryshuar. Ishte shumë e trishtueshme të shihje grumbuj kripe nga të cilët s’ka asnjë përfitim. Nuk mund të ndryshohej asgjë, sepse udhëheqja ishte shumë afër strukturave politike në pushtet, të cilat, çuditërisht, ishin edhe anëtarë të Bordit Drejtues përgjegjës për kontrollin e punës së menaxhmentit. Shumë ishin të befasuar se si një punë jo shtëpiakëse, më saktë, vjedhja e rëndë e punëtorëve dhe e shtetit, nuk mund ta dëmtonte Kriporen” , dëshmon ish-shefi i financave në Kripore Veselin-Sasha Mitroviq.
Goditjen më të rëndë, sipas tij, Kriporja e ka përjetuar në vitin 2010, kur, siç pretendon ai, nga thesari janë vjedhur 20 mijë ton kripë dhe një milion euro. “Atëherë u ndërpre puna e Kripores, kurse punëtorët u plaçkitën. Më pas, ata u hodhën në rrugë dhe askush nuk mbajti përgjegjësi për këtë gjë. Edhe sot kur i pyesi ata njerëz nga Gjykata Ekonomike, përgjigjen se kanë bërë gjithçka sipas ligjit. Prandaj ne punëtorët i quajmë ata mafia e falimentimit ”, shton Mitroviq.
Në vitin 2014, të gjithë punonjësit e Kripores u pushuan nga puna.
Planet për betonizimin e Kripores
Në korrik të vitit 2009, Qeveria e Malit të Zi mori përsipër detyrimin e administratës lokale për përgatitjen e Planit Hapësinor dhe Urbanistik të Ulqinit (PHU). Të gjitha komunat tjera në Mal të Zi e kanë punuar këtë dokument planifikues në mënyrë të pavarur, sepse hartimi i tij është pjesë e kompetencave të tyre burimore. Qeveria vendosi të hartojë dhe të paguajë planin më të rëndësishëm për të ardhmen e Ulqinit.
Megjithatë, skenari i betonizimit të kësaj hapësire dështoi, kryesisht për shkak të njohjes së rëndësisë së Kripores nga Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian, Këshilli i Evropës, ambasadat e vendeve perëndimore në Podgoricë dhe organizatat mjedisore dhe të tjera të shoqërisë civile vendase dhe ndërkombëtare.
Meqenëse në Ulqin nuk kishte vullnet për të aminuar haptazi planet rreth Kripores, u ndërmor varianti rezervë, apo hartimi i Planit Hapësinor me Qëllim të Veçantë për Zonën Bregdetare (PHQVZB). “Drafti i këtij dokumenti parashikon mbrojtjen e këtij lokaliteti dhe ndërtimin e objekteve turistike plotësuese (vëzhgimi i florës dhe faunës dhe eko-resort) në një pjesë më të vogël të Kripores, ku edhe tani ka sipërfaqe ndërtuese dhe me sipërfaqe prej vetëm gjashtë hektarësh (nga gjithsej 1,500 ha që mbulon Kriporja), dhe nuk bëhet fjalë për kapacitete të mëdha turistike apo kapacitete të tjera brenda lokalitetit të Kripores për të cilat flitet në opinion”, thanë në fillim të vitit 2016 nga Ministria e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit.
Pra, dëshirat për betonimin e Kripores janë reduktuar në “vetëm” 2.35 për qind të sipërfaqes së saj totale, apo në 1,500 shtretër. U bë një përpjekje e ngathët për ta paraqitur atë në publik si një “zonë turistike jashtë kufijve të Kripores” .
Në të njëjtën kohë, për vite me radhë pati hezitim për të nisur iniciativën për përfshirjen e Kripores në listën Ramsar të ligatinave të mbrojtura me rëndësi ndërkombëtare, edhe pse ajo plotësonte gjashtë nga nëntë kushtet për t’u përfshirë në atë listë prestigjioze. Për t’u përfshirë mjaftonte të plotësohej vetëm një kusht.
Kriporja shërbente si simbol i shtetit – vetëm jashtë vendit. Qeveria e Malit të Zi prezantoi projektin “Kriporja e Ulqinit” në Bienalen e 15-të të Arkitekturës në Venedik në vitin 2016. “Kriporja është një nga ato vende fantastike që me ekzistencën e saj konfirmon simbiozën e njeriut dhe natyrës dhe kujton se sa e rëndësishme është të insistohet në këtë lidhje”, tha Komisionerja për Përfaqësimin e Malit të Zi, arkitektja Dijana Vuçiniq, duke thënë se “Kriporja është tërësisht një krijim njerëzor që zotëron një biodiversitet unik në nivel ndërkombëtar dhe ka një rol kyç në lëvizjet globale të shpendëve”.
Berlini dhe institucionet evropiane në mbrojtjen e Kripores
Anëtarët e trupit diplomatik, veçanërisht ambasadorja e atëhershme e Republikës Federale të Gjermanisë në Podgoricë, Gudrun Elizabeth Steinaker, u përfshinë në shpëtimin e biodiversitetit unik të Kripores.
Ishte presioni i fortë i Brukselit dhe i Strasburgut, si dhe vendosmëria e pasqyruar në Planin Hapësinor dhe Urbanistik të Ulqinit, që në momentin e fundit penguan skenarin e kthimit të Kripores në zonë ndërtimi të qytetit ku do të ndërtoheshin komplekse turistike dhe fusha golfi.
Në fillim të vitit 2014, dukej se ky operacion i përgatitur me kujdes kishte përfunduar me sukses.
“A është zgjidhja segmentimi i kësaj prone? Të ndahet një pjesë, të urbanizohet, të ndryshohet plani dhe atë për një qëllim: që mbi këtë bazë të zgjidhen sa më shpejt kërkesat e punëtorëve dhe kreditorëve, natyrisht pa e rrezikuar procesin e prodhimit të ardhshëm të kripës”, pyeti ministri i atëhershëm i Financave Radoje Zhugić (DPS) në Parlamentin shtetëror. Prej vitesh ai shërben si guvernator i Bankës Qendrore.
Administratori i atëhershëm i falimentimit Ognjen Jovoviq pohoi se “ekziston një mundësi reale që një pjesë e Kriporit të vihet në funksion në atë mënyrë”.
Të vetëdijshëm se do të ishte një “dritë jeshile” që ekskavatorët të hynin në atë hapësirë, deputetët e opozitës të mbështetur nga anëtarja e koalicionit qeverisës, Partia Socialdemokrate, i hodhën poshtë mendimet e tilla. Prandaj, e gjithë historia duhej të kthehej në fillim. Skenari i një “Dubai të ri” që shfaqet në brendësi të afërt të Plazhit të Madh është shkrirë si kripa në ujë.
Për të mbuluar tentativën e pasuksesshme për vrasjen e Kripores, u dha shpallja publike për bashkëpunim pune dhe teknik, kurse “me qëllim të mbrojtjes së biodiversitetit” zona u menaxhua nga Ndërmarrja Publike “Parqet Kombëtare të Malit të Zi” që nga viti 2015.
Në çdo raport vjetor të progresit që nga viti 2015, Komisioni Evropian ka vënë në dukje problemet e Kripores dhe ka kërkuar zgjidhjen e tyre. Me mbështetjen e BE-së, në vitin 2017 u përgatit një studim për mbrojtjen e saj.
Pas miratimit të vendimit në seancën e Kuvendit lokal në Ulqin, më 24 qershor 2019, Kriporja është shpallur zonë e mbrojtur – Park i Natyrës. Ministria e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit e kandidoi Kriporen për listën e zonave Ramsar në korrik të vitit 2019. Dy muaj më vonë, ajo u shtua në listën e ligatinave me rëndësi botërore.
Trajtimi i Kripores ishte një kusht kyç që Mali i Zi të hapte kapitullin e 27-të, jashtëzakonisht të rëndësishëm, në negociatat e anëtarësimit me BE-në, i cili i referohet mjedisit dhe ndryshimeve klimatike.
Ka rreth 500 lloje shpendësh në Evropë dhe më shumë se gjysma e tyre, duke përfshirë flamingot dhe pelikanë dalmat, janë regjistruar në Kriporen e Ulqinit. Kjo është arsyeja pse ajo është kaq e rëndësishme në kuadrin evropian.
Nuk ka përgjegjës për shkatërrimin, kallëzimet janë në sirtaret e prokurorisë
Pas tentativës së fundit për shitjen e Kripores në mars të vitit 2019, organizatat joqeveritare MANS, Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Zogjve, Shoqata “Dr Martin Schneider-Jacoby” dhe Shoqata Malazeze e Ekologëve kanë paraqitur kallëzimin penal kundër administratorit të falimentimit Zharko Ostojiq, Mbrojtësit të interesave pronësore dhe juridike të Malit të Zi dhe personave përgjegjës në Drejtorinë për Prona dhe Drejtorinë për Pasuri të Paluajtshme për shkak të dyshimit për keqpërdorim të pozitës.
Ata pretenduan se Ostojiq shpalli thirrjen për shitjen e tokës shtetërore që Kriporja kishte të drejtë ta përdorte vetëm derisa prodhonte kripë, dhe se autoritetet shtetërore nuk e regjistruan pronën e përfshirë në pasurinë e falimentimit. Ata besonin se kjo kompani nga Ulqini nuk ka qenë asnjëherë pronare e tokës dhe se nuk ka paguar çmimin e tregut gjatë procesit të privatizimit. Baza e vetme e tyre për të disponuar me tokën ishte prodhimi i kripës, i cili nuk kryhet më, thanë këto organizata.
Ostojiq tha se Kriporja ka të drejtë të përhershme për të shfrytëzuar ndërtesën dhe tokën dhe se kjo nuk është pengesë për shitjen.
Në vitin 2016, MANS paraqiti kallëzim penal edhe në Prokurorinë Speciale të Shtetit për marrjen e një kredie për të cilin toka e Kripores shkoi në hipotekë.
Kallëzimi u refuzua në fillim të vitit pasardhës, pasi, siç u tha nga Prokuroria, kishte skaduar afati i parashkrimit të ndjekjes penale.
“Fjala është për disa kredi me vlerë totale prej 5.2 milionë euro, të cilat janë marrë nga Banka Komerciale Malazeze dhe Banka e Parë (mne: Prva Banka) dhe për të cilat është vendosur tokë si kolateral që nuk ka qenë në pronësi të Kripores, pra ka qenë dhe ende është pronë e shtetit. Kriporja, respektivisht pronari i atëhershëm Eurofond, kishte vetëm të drejtën e shfrytëzimit, prandaj në asnjë rast kjo pronë nuk mund të shërbente si kolateral për sigurimin e një kredie ”, tha drejtori i Qendrës Kërkimore të MANS-it, Dejan Milovac.
Mirëpo, pas disa muajsh Prokuroria e Lartë e Shtetit (PLSH) e hapi sërish këtë rast. Me kallëzim penal u akuzuan Zharko Ostojiq, administrues falimentimi, personat përgjegjës të Administratës së Pronës së Malit të Zi, Administratës së Pasurive të Paluajtshme të Malit të Zi dhe Mbrojtësi i interesave pronësore dhe juridike të Malit të Zi.
Përveç PLSH-së, MANS iu drejtua Gjykatës Ekonomike të Malit të Zi për shkak të shitjes së shpallur të pronës shtetërore, të cilës i dërgoi ankesën ndaj Ostojiqit, administratorit të falimentimit të Kripores, për punë të paligjshme në procedurat e falimentimit.
Nga ana tjetër, në fillim të majit të vitit 2019, kryetari i Gjykatës Ekonomike, Blazho Jovaniq, përmes një letre drejtuar MANS-it është përgjigjur se “pas një vlerësimi të kujdesshëm të deklaratave të dorëzuara”, ka vlerësuar se administratori ka vepruar në përputhje të plotë me ligjin.
Për shkak të dyshimit se ka kryer veprën e keqpërdorimit të pozitës zyrtare duke i mundësuar administratorit Ostojiq të vazhdojë me disponimin e paligjshëm të pronës shtetërore, OJQ MANS në mesin e majit të vitit 2019 ka paraqitur një ndryshim të kallëzimit penal kundër kryetarit të Gjykatës Ekonomike – Blazho Jovaniq.
Ai u arrestua vitin e kaluar dhe ndodhet ende në paraburgim me dyshimin se ka krijuar një organizatë kriminale në vitin 2015, me qëllim përdorimin e funksionit të kryetarit të Gjykatës Ekonomike dhe funksionin e gjyqtarit për përfitime të paligjshme financiare për veten dhe anëtarët e atij grupi kriminal duke rritur në mënyrë të paligjshme kostot e procedurave të falimentimit. Në provat që kontrollohen në këtë rast nuk përmendet Kriporja dhe as administratorët e falimentimit që u ndryshuan gjatë viteve.
Përndryshe, numri më i madh i lexuesve tanë (rreth 60 për qind), të anketuar në platformën ECR, besojnë se përgjegjësinë më të madhe për shkatërrimin e kësaj hapësire e mban Qeveria e Malit të Zi, kurse çdo i katërti i anketuar sheh përgjegjës vetëqeverisjen lokale.
Në të njëjtën kohë, rreth 40 për qind e atyre që morën pjesë në anketë janë të bindur se paaftësia e administratës është arsyeja kryesore pse nuk është krijuar ende një kompani që do të menaxhonte Kriporen. Çdo i pesti i anketuar pretendon se bëhet fjalë për korrupsion, kurse dhjetë për qind besojnë se bëhet fjalë për papërgjegjësi dhe arrogancë partiake.
Të anketuarit janë pothuajse unanim në mendimin e tyre se autoritetet nuk po bëjnë sa duhet për të filluar prodhimin e kripës. Megjithatë, në pyetjen se kush menaxhon aktualisht tokën në Kripore, numri më i madh është përgjigjur se është Komuna e Ulqinit (45%) dhe Qeveria e Malit të Zi (43%), e ndjekur nga Ndërmarrja Publike për Menaxhimin e të Mirave Detare (8). %) dhe Eurofondi (4%).
Pas shkatërrimit, shpresë për ringjallje
Në pritje të zgjidhjes përfundimtare të çështjeve të hapura, procesi i shkatërrimit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në Kripore ka përfunduar.
Në gusht të vitit 2020, mjetet transportuese, shinat dhe transportuesi vetëlëvizës, më pas edhe makina e paketimit, dy ekskavatorë, automjetet e mbetura, shtyllat metalike për energji elektrike… përfunduan për skrap.
Ish-punonjësit pretendojnë se fabrika e ambalazhimit që është paguar 1.2 milionë euro ishte e re dhe nuk ishte përdorur kurrë!? Për rreth 30 herë më pak para i është shitur kompanisë nga Nikshiqi “Qendra për riciklim”(mne: Centar za reciklažu).
Administratori i falimentimit të Kripores, Zharko Ostojiq, tha për mediat se gjithçka që u shit ishte në përputhje me shpalljen e publikuar më parë.
Ende nuk është zbardhur zhdukja e mini-ekskavatorit që iu dha Kripores në vitin 2004 nga fondacioni gjerman “Euronatur”. Ajo makinë me vlerë 45 mijë euro ishte menduar të përdorej për mirëmbajtjen e argjinaturave dhe habitateve të shpendëve. Gjashtë vjet më vonë, raportuan mediat, ajo u mor nga Kriporja dhe u çua në drejtim të panjohur dhe përfundoi e shpërbërë në një servis në Budvë!?
Vetëqeverisja lokale duhej të merrte menaxhimin e Kripores në gusht të vitit 2020, por hoqi dorë sepse, siç raportohet, nuk ishin krijuar parakushtet ligjore për të hyrë në atë punë, kështu që Parqet Kombëtare të Malit të Zi dhe administrata e falimentimit lidhën anekset e kontratave për qiramarrjen e kësaj ndërmarrje.
Ulqinakët megjithatë shpresojnë se me mbështetjen e Qeverisë së Malit të Zi dhe organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare do të vijnë ditë më të mira për atë ndërmarrje, e cila që nga themelimi i saj ishte simbol i Ulqinit modern.
“Edhe pse aktualisht i ngjan Vukovarit të kohës së luftës, Kriporja do të ngrihet sërish si feniks. Të gjithë e dimë se Kriporja është një pasuri e madhe ekonomike, ekologjike, turistike dhe kulturore e Ulqinit dhe mbarë vendit. Evropianët me të drejtë pohojnë – edhe e tyrja. Prandaj, besoj se rifillimi i prodhimit të kristaleve të kripës, gjegjësisht rinovimi i Kripores, do të shënojë një ringjallje ekonomike për Ulqinin dhe Malin e Zi”, thotë kronisti i këtij qyteti, Ismet Karamanaga.
Sektori civil prej vitesh ka dhënë mbështetjen më të madhe për rikuperimin e Kripores. Kështu, Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Zogjve (CZIP) njoftoi se punimet për rehabilitimin e argjinaturave përfunduan në tetor. “Kjo do të thotë se uji ndërmjet baseneve, që ndahet nga 6.6 km argjinatura të riparuara, nuk rrjedh më! Në fund, kjo do të thotë menaxhim më të lehtë të ujërave, dhe gjithçka sipas nevojave të botës së gjallë”, thonë nga kjo organizatë e njohur joqeveritare.
Sido që të jetë, nga mesi i vitit 2022, me vendim të Qeverisë, shteti është pronar i tokës në Kripore. Mirëpo, Gjykata Administrative e anuloi atë vendim dhe e ktheu për rishqyrtim. Qeveria e re do të vendosë sërish për këtë gjë. Eurofondi, një kompani e falimentuar, është përdoruese e shumicës së aseteve të kësaj kompanie.
“I bëj thirrje shtetit të zgjidhë problemin e Kripores dhe falimentimit. Pretendimet e punëtorëve dhe furnitorëve arrijnë në rreth 2.5 milionë, pjesa tjetër e borxhit i takon shtetit. Nëse shteti ka vullnet, si me disa kompani të tjera, atëherë ky është një problem lehtësisht i zgjidhshëm. Por askush nuk po bën asgjë për zgjidhjen e tij, as Komuna e Ulqinit, të cilës nuk po i kërkojmë zgjidhjen e problemit, por vetëm ndihmë. Megjithatë, autoritetet lokale ende nuk kanë formuar një kompani që do të menaxhonte Kriporen, edhe pse katër vjet më parë u obliguan se do ta bëjnë, veçanërisht pasi Kriporja tani ka statusin e zonës së mbrojtur natyrore”, shton Mitroviq.