IP “Qendra për Kulturë – Ulqin” në bashkëpunim me OJQ-në Aksioni Kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes, ka kënaqësinë t’ju ftojë në premierën e filmit dokumentar “Në gjirin e Ulqinit”, të realizuar nga OJQ Aksioni Kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes (ANP), në kuadër të projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”.
Në filmin dokumentar “Në gjirin e Ulqinit” protagonistë të ndryshëm e rrëfejnë periudhën e luftës në Kosovë (vitet 1998 dhe 1999), duke e risjell në kujtesë gjithë dramën e më se 70.000 kosovarëve të dëbuar nga shtëpitë e tyre, të cilët gjetën strehim në Ulqin të Malit të Zi.
Dokumentari dëshmon për vuajtjet e qytetarëve të pafajshëm kosovarë që me dhunë u detyruan t’i lëshonin shtëpitë e tyre, si dhe për humanizmin dhe solidaritetin e ulqinakëve zemërgjerë, të cilët nuk kursyen asgjë për t’i strehuar, ushqyer dhe për t’i mjekuar ata.
Filmi dokumentar do të shfaqet më 29 shkurt 2024, në ora 18:00, në sallën e madhe të IP-së “Qendra për Kulturë – Ulqin”.