Të hënën e ardhshme ambasadorët e shteteve të huaja të akredituar në Podgoricë, si dhe përfaqësuesit e Delegacionit të BE-së, do të flasin në tryezën e rrumbullakët në Sallën e vogël të komunës së Ulqinit mbi modalitetet e zgjidhjes së problemeve aktuale të Kripores, mëson Portali Ul-info.
Në letrën të cilën diplomatëve të huaj ia dërguan kryetari i Komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka dhe administruesi i falimentimit në Kripore Ognjen Jovoviq shkurtimisht shkruhet historia e ndërmarrjes më të vjetër në Ulqin, potenciali dhe rëndësia e saj.
“Dëshirojmë të gjejmë mënyrën e përbashkët që Kriporja ti tejkaloj të paktën pjesën minimale të problemeve të veta dhe të gjejmë mënyrën për inicimin e procesit minimal të punës”, thuhet në letër dhe theksohet që çdo lloj ndihme (me këshilla, financiare, profesionale, me njerëz, pajisje) është e mirëseardhur.
Në këtë takim janë të ftuar edhe përfaqësuesit e katër ministrive në Qeverinë e Malit të Zi (për zhvillim ekonomik, turizëm dhe zhvillim të qëndrueshëm, komunikacion dhe detari, si dhe shëndetësi).