Të shtunën: EPIFANIA DASHNIS TEK LIBRARIA ULQINI

Libraria Ulqini do të jetë të shtunën mbrëma nga ora 20:00 vendtakim i tre aktorëve të teatrit: nga Prishtina, Shkodra dhe Ulqini.

Në një mbrëmje kulturore-artistike do të interpretohen “kangë popullore erotike” të viseve të Kosovës – më konkretisht të rajonit të Rugovës – që janë krijuar, interpretuar dhe ruajtur nga vendasit.

Vlora Nikçi, autore e librit “Kangë popullore erotike”, është fituese e disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë ato nga Festivali Ndërkombëtar Skena Up, 2004, Festivali i Teatrove në Ferizaj, 2012, Ditët e Komedisë Shqiptare, 2015, e të tjera.

Libri i saj është përmbledhja e parë e tillë në Kosovë, me këngë erotike. Promovimi i tij në Ulqin është njëherësh ngjarja e parë me karakter të tillë erotik, që mbahet në qytet.

Simon Shkreli, nga Ulqini, por që jeton dhe vepron në Shkodër, është aktor që ka dalë nga gjenerata e parë e klasës së aktores kosovare, Ilire Vinca, e që mbikëqyrej nga aktori i madh, Faruk Begolli. Ai do të interpretojë vargje nga “Kangët popullore erotike”.

Bashkim Alaj, aktor vendas, i njohur për talentin e tij në komedi, do të jetë moderator i mbrëmjes dhe, po ashtu, interpretues.

Nikçi nxjerr në libër anën sensuale të popullit shqiptar – larg shpatave, luftërave e mitologjive heroike.

Erotika është poetikë burimore e jetës: ikje nga llomotitjet e përditshmërisë, fluturim kah qiejt e emocioneve sublime, lojë me ndjesitë e së bukurës, ngjizje e pasioneve flakëruese.

Termi erotikë zakonisht ka të bëjë me veprat, në të cilat elementi seksual konsiderohet si pjesë e aspektit më të gjerë estetik. Zakonisht dallon nga pornografia, e cila gjithashtu mund të ketë meritë letrare, por si qëllim kryesor të sajin ka zgjimin seksual.

Në veprat letrare të të gjitha kohërave dhe nga të gjitha vendet ka elemente erotike. Ndër shembujt më të njohur të letërsisë erotike është Kama-sutra – një përzierje prozash dhe vargjesh – që dëshirën dhe përmbushjen emocionale i përshkruan si qëllime jetësore.

Te poetja greke, Safo (Sappho), erosi është një ‘thurësendëse përrallash’, një tregimtar dhe joshës. Në të njëjtën kohë, ai është një “krijesë e ëmbël, e hidhur, e pamundur”, një forcë dualiste dhe e paqartë, që kalon në mënyrë anarkike kufirin midis kënaqësisë dhe dhimbjes.

Në poezinë shqipe, erotizmi gjendet si element në krijimtarinë e shumë shkrimtarëve, nga: Lasgush Poradeci e Dritëro Agolli deri te Agron Tufa, Mimoza Ahmeti, Edmond Tupja e të tjerë.

Libri “Kangë popullore erotike” do të përkthehet në gjuhën angleze nga ish-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.

Gjatë mbrëmjes do flas profesori i mirënjohur i letërsisë shqipe Nikollë Camaj i cili ndau me ne një pjesë të kumtesës së tij:

Edhe këngët për kreshnikët, për trimat, për luftërat, për humbjet e fitoret, apo edhe vajet, përmbajnë mjaft elemente që flasin për raportet mashkull-femër. Po përmendi këtu Aga Ymerin, Begzaden, Hysen Agën, Mujin e Halilin etj. Derisa në këto këngë, dashuria paraqitet si sakrificë, si shenjë e besës dhe besnikërisë, e që tërheqës për njëri tjetri është sa bukuria fizike po aq edhe ajo shpirtërore, në këngët e mirëfillta erotike, dominon ma tepër elementi i pastër erotik, joshës, epshorë. Sikur te të parat dominon Penelopa, e te të dytat Kleopatra! 

Duhet thënë se botimet e këtilla thyejnë tabutë dhe ngacmojnë lexuesin që të shijojë diçka prej asaj se si kanë dashuruar, apo si e kanë shprehur dashurinë të parët tonë, në kohë madje kur as letërkëmbim nuk kishte, në kohën kur takimi caktohej me “njat dekik që të dalin hana”, me ditën e daljes në bjeshkë, me të hënën e Pashkëve…. përmes shenjave e shiharetve, apo edhe përmes një guraleci mbi pullaz.  Këngët e tilla këndoheshin në grupe të ngushta njerëzish, në ahengje familjare, kryesisht të botës mashkullore, edhe pse vetë poezia erotike lidhet shumë më tepër me botën femërore, me bukurinë e saj dhe me dashurinë ndaj sajë. Kështu kur flasim për epitetet në poezinë erotike në shumicën e rasteve ato flasin për bukurinë e femrës, vetullat, sytë, buzët, gjinjtë, e kështu me rrallë, e shumë më rrallë për bukurinë mashkullore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…