Në Sallën e Madhe të Qendrës për Kulturë në Ulqin të shtunën u mbajt koncerti “Ndaleni luftën!”, të cilin e organizuan Aksioni kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes nga Prishtina, Qendra për Kulturë e Ulqinit dhe Portali Ul-info.
Koncerti spektakolar u interpretua nga Orkestra Frymore Prizreni, ndërsa mysafire speciale ishte artistja gjermane Mechthild Palberg.
Në emër të organizatorëve, Nexhat Ismajli nga Aksioni kundër Dhunës dhe Ndërtimin e Paqes dhe Musa Hoxhiq, drejtori i Qendrës për Kulturë, thanë se nga Ulqini dëshirojnë të dërgojnë dëshirat, mesazhet dhe lutjet për paqe në kontinentin tonë dhe në çdo cep të planetit tonë.
Në koncert, përveç të tjerëve, ishin të pranishëm ushtruesja e detyrës së ambasadores së Ukraines në Podgoricë, Natalija Fijalka, funksionarët e lartë të Komunës së Ulqinit dhe deputetët në Kuvendin e Malit të Zi, gjersa qindra njerëz e kanë ndjekur evenimentin përmes transmetimit live në faqet e FB dhe kanalin e YouTube-it të Portalit UL-info, të cilin e përcolli edhe shërbimi publik i Kosovës, RTK.