Teatri “Teuta”, Ulqin, me shfaqjen “Nana” mbrëmjen e së hënës do të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Pas teatrit “Migjeni” në Shkodër drama shqiptare vjen dhe në Tiranë. Vepra mban emrin e autores Arlinda Morina dhe vjen në skenë me regji të Munib Abazit dhe asistente të regjisë Edina Mustafiq. Aktorët që interpretojnë në këtë shfaqje teatrore janë Vjosa Tasholli, Muho Uruçi, Anes Kurti, Albana Kurti Zeçeviq dhe Bashkim Alaj. Kjo shfaqje më herët është prezantuar në Ulqin dhe premiera nuk mungon në Shkodër dhe Tiranë për publikun. Në skenat e këtyre teatrove vepra vjen falë një bashkëpunimi mes institucioneve, dhe pas publikut shkodran aktorët presin të marrin dhe duartrokitjet në Tiranë për dramën shqiptare. Në dramën “Nana” jeta e një familje, në kushte jo shumë të mira financiare vjen e keqësohet në momentin kur zonja e shtëpisë mbetet e ve (vejushë) në një moshë shumë të re. Një grua shtatzënë, e cila nuk di si të mbijetojë në një shtëpi të vjetër, të ftoftë, shpirti i saj ngrohet në momentin kur sjell në jetë foshnjën e vet. Gëzimi i saj sa vjen e shtohet në momentin kur e bën burrë, dhëndër. Mirëpo jo çdo gjë shkon në familjen e tyre, si dhe më parë. Anëtarja e re e familjes, nusja e djalit mundohet të menaxhojë shtëpinë siç ajo dëshiron, arrin t’iu ndërrojë sistemin e jetesës dhe krijon konfliktet e para me të ëmën e djalit, si dhe ti acarojë marrëdhëniet e tyre nënë e bir. Fillon lidhja e tyre si prind dhe bir të ftohet deri në atë pike saqë djali heq dorë nga përkujdesja ndaj të ëmës dhe vendos të largohet nga shtëpia bashke me gruan e tij. Ndërsa, çifti i cili u largua nga shtëpia për një jetë më të rehatshme, ata nuk arrijnë të gjejnë qetësi pasi problemi ishte po te ata të dy mes tyre, të cilët nuk arritën kurrë të gjejnë një gjuhë të përbashkët. Skenografia dhe kostumografia realizuar nga Jetmira Hoxha, me muzikë të Ardian Hasanaga dhe me ndriçim të mundësuar nga Musa Hoxha mbrëmjen e së hënës drama vjen në skenën e Tiranës.
Teatri shqiptar në Ulqin
Projekt i teatrit “Teuta” drama “Nana” pritet të përcjellë emocione tek publiku vendas dhe i huaj që do jetë prezent, pasi shfaqja do të vijojë udhëtimin e saj dhe në skena të tjera më pas. Sipas organizatorëve dhe nismëtareve ndërtimit të teatrit në gjuhën shqipe, Ulqini e ka pasur të domosdoshëm që të kurorëzohet me këtë teatër. Teatri “Teuta” punon me një staf profesionist i përbërë nga regjisorë, skenografë dhe kostumografë, si dhe aktorë të diplomuar, të cilët për publikun vendas dhe të huaj do të sjellin shfaqje kombëtare dhe ndërkombëtare të zhanreve të ndryshme në vijim të sezoneve artistike. Drejtori i teatrit, Munib Abazoviq dhe anëtarët e tjerë të kryesisë siç janë Muho Uruçi, Edina Mustafiq, Jetmira Hoxha, Bashkim Alaj, Albana Kurti Zeçeviq, Suad Bejta dhe Eliana Peku janë shprehur të kënaqur që në fund dhe Ulqini dhe ulqinakët kanë mundësi të njihen më nga afër me bukurinë dhe mrekullinë që sjellë skena e teatrit. Teatri “Migjeni” i Shkodrës e priti mbrëmë këtë vepër teatrore, një bashkëpunim që vjen me artistët shqiptarë në Ulqin dhe në vijim të veprimtarive dhe aktiviteteve të tjera më parë mes dy qyteteve. Aktorët e dramës “Nana” interpretuan për herë të parë në skenën e teatrit “Migjeni” dhe po ashtu për herë të parë do të jenë dhe në skenën e Tiranës. Ndërkaq që kjo është një vepër teatrore e dramës shqipe, e cila përcjell përmes saj jo pak mesazhe për publikun që është në sallën e teatrit.
Nga Julia Vrapi
/Agjensia e Lajmeve Sot News/