Delegacioni i Komunës së Ulqinit, në krye me kryetarin Omer Bajraktari, qendroi në vizitë njëditore në Tiranë, ku u pritën nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe stafi i tij.
Gjatë takimit në kabinetin e zotit Veliaj, kryetari Bajraktari foli për rëndësinë e bashkëpunim sa më ngushtë të dy vetëqeverisjeve lokale në fusha të ndryshme. Bashkëpunimi i Ulqini dhe Tiranës është shumë i mirë, por ka ende hapësirë të avancohet edhe me tej. Ulqini mund të përfitojë shumë nga eksperienca e Tiranës sidomos në fushën e turizmit kulturor, teknologjive digjitale dhe projekteve me rininë.
Kryebashkiaku Veliaj u dakordua me kryetarin Bajraktari për nevojën e forcimit të bashkëpunimit, dhe shtoi se stafi i Bashkisë së Tiranës do të punojë me përkushtim në këtë drejtim.
Ndër projektet e përbashkëta të cilat priten të realizohen në periudhën e ardhshme janë rinovimi i pazarit të suvenirave në Ulqin, si dhe organizimi i përbashkët i festivalit pranveror të kulturës, folklorit dhe artizanatave.
Pjesë e delegacionit nga Ulqini ishin dhe nënkryetarët Sabri Salaj dhe Beqir Sellaj, kryearkitekti Muho Uruçi si dhe stafi i Kabinetit të Kryetarit.
Komuna e Ulqinit dhe Bashkia e Tiranë marrin pjesë aktive në punën e Unionin të Bashkive Shqiptare në Rajon.