Kryetarët e Komunave Ulqin dhe Tivar, Loro Nrekiq dhe Dushan Raiçeviq, dhe drejtori i Drejtorisë për Komunikacion, Savo Paraça, nënshkruan të mërkurën në Tivar marrëveshjen për rikonstruktimin e rrugës rajonale Krythë – Tivar.
Nrekiq tha se rruga e rikonstruktuar do të rrisë në nivel më të lartë cilësinë e jetës së qytetarëve të dy komunave. “Qëllimi jonë është që çdo qytetarë të ketë kushte të mira për jetë. Edhe pse kishte skepticizëm, e pritëm që të fillojmë realizimin e projektit krucial infrastruktor për Tivar dhe Ulqin, por bëhet fjalë edhe për aksin tranzitor në drejtim të Shqipërisë”, shtoi ai.
Kjo rrugë është e gjatë rreth 14 kilometër, prej të cilëve në zonën e komunës së Ulqinit janë rreth 4 kilometër.
Në aktin e nënshkrimit të kontratës ishin të pranishëm kryetarët e Bashkësive Vendore Mërrkot dhe Krythë, Senad Arabelloviq dhe Elvir Rexhoviq, të cilët shprehën kënaqësinë me konkretizimin e kësaj iniciative e cila pritet vitin e ardhshëm dhe treguan për rëndësinë e shumëfishtë të rikonstruktimit të këtij aksi rrugor për banorët e Mërrkotit dhe Krythës.