Tivari (Antivari, Antibareos, Bar) ishte qendra shpirtërore dhe shtetërore e Dioklesë, qytet i cili, njëjtë si Ulqini dhe Shasi, kishte monedhën e vet, stemën, skriptoriumet, demokracinë popullore. Qytet të cilit sulltan Murati i III, me Ahdnamën e vitit 1575, ia vërtetoi privilegjet e mëhershme.
Gjatë tërë historisë këto qytete luftuan për ta ruajtur autonominë, statutet e tyre, zakonet e mira… S’ka Tivar deri te qesar, thoshin banorët e këtij qyteti të lashtë dhe me famë.
Në këtë qytet dhe rrethinat e tij ende jetojnë shumë familje me të njëjtin mbiemër dhe besime të ndryshme.
Dhe kjo është një nga arsyet pse në këtë zonë nuk ka pasur kurrë konflikte ndëretnike dhe ndërfetare dhe se Tivari së bashku me Ulqinin është një nga qytetet më tolerante në Mal të Zi.
Si rezultat, në Tivar ka disa dialekte lokale, secili me karakteristikat e veta, kështu që shpesh në Çarshinë e Vjetër, veçanërisht në ditët e tregut, mund të dëgjoheshin njëkohësisht gjuha malazeze, turqishtja dhe shqipja. Qytetarët, me vullnet të mirë dhe respekt ndaj të tjerëve, komunikonin shumë lehtë.
Këtë, ndoshta, më së miri e dëshmojnë murgeshat të cilët me dekada pareshtur ndihmuan nevojtarët në Spitalin e Përgjithshëm në Tivar (në të cilën shërohen edhe Ulqinakët), pavarësisht nga kombi dhe feja.
Ato me shembullin personal kanë dëshmuar se feja ekziston vetëm si dashuri, si diçka që vetëm me vepra i dhurohet të tjerëve.
Në të kundërt, ajo do të ishte abstrakte dhe si e tillë e padobishme. Feja ka kuptim vetëm kur e rroni në jetën tuaj, por edhe në jetën e të tjerëve. Nga feja e përkufizuar në këtë mënyrë lind filozofia e interkulturalizmit, e cila ndërkohë shndërrohet në doktrinë, eksperiencë e cila ndalon njeriun të veprojë në kundërshtim me imperativin e së drejtës, ndershmërisë dhe dashurisë, madje edhe në kohët më t’vështira. Këtë e dëshmuam në fund të shekullit 20, në këtë periudhë të artë të dhunuesve, mashtruesve dhe frikacakëve.
Po ashtu, u bindëm se mjaftojnë vetëm disa njerëz që kundërshtojnë diversitetin, që të helmojnë atmosferën dhe ta zeherojnë jetën e qyteteve dhe fshatrave tona paqësor. E dinim edhe atëherë që kjo sjellje e paarsyeshme kryesisht është nxitur dhe dirigjuar nga jashtë. Përkundër tërë fuqisë dhe planeve perfide, nuk ia dolën. Sepse, harmonia popullore i ka rrënjët e thella në këto troje. Është paradoksale, por edhe fakt historik i vërtetuar: shpirti i bashkëjetesës dhe i solidaritetit ripërtërihet pikërisht në kohët më të vështira.
Në çdo rast, kontestet fetare dhe shprehjet e rralla të jotolerancës ndaj përfaqësuesve të fesë apo kombit tjetër janë krijuar vetëm atëherë kur këto çështje u shfrytëzuan si shkas për përhapjen e fuqisë politike dhe ekonomike. Dhe kjo ngjau shumë më tepër në qytete, sesa në fshatra.
Mirëpo, edhe atëherë, përfaqësuesit e njërës fe i ndihmuan të tjerët. Kështu ngjau edhe kur deshën t’ia vejnë flakën shtëpive të Mikuliqasve ortodoks, ndërsa komshinjtë muslimanë i dolën në mbrojtje, ose kur ortodoksët mbrojtën shtëpitë e muslimanëve dhe katolikëve në disa pjesë të Tivarit, por edhe gjatë ngjarjeve të përgjakshme nga 1 prilli i vitit 1945, kur në Tivar u vranë një numër i madh i Shqiptarëve nga Kosova. Kosovarët që i shpëtuan pushkatimit, për këtë gjë mund të falënderojnë ndihmën altruiste të shumë Tivarasve – para të gjithëve të atyre ortodoks, por edhe të muslimanëve dhe katolikëve.
(Ky tekst u krijua në kuadër të projektit të promovimit të ndërkulturalizmit në Ulqin dhe Tivar, të cilin e financon Ministria e Administratës Publike, Shoqërisë Digjitale dhe Mediave, nga Fondi për nxitjen e pluralizmit mediatik dhe shumëllojshmërisë së mediave.)