TKD Ulqini me paraqitje të shkëlqyer në Kupën e Serbisë

Klubi i Taekwondos TKD Ulqini u paraqit me gjashtë sportistë në turneun ndërkombëtar të taekwondos “Kupa e Serbisë”, i cili u zhvillua më 3 dhe 4 tetor 2026 në Beograd.

Ekipi nga Ulqini pati një paraqitje të shkëlqyer, duke arritur gjithsej 15 fitore në këtë turne të rëndësishëm ndërkombëtar. Nga gjashtë garuesit e klubit, pesë arritën deri në finale, duke dëshmuar nivel të lartë sportiv dhe përgatitje të mirë.

Paraqitje veçanërisht të suksesshme patën Gani Resulbegoviq dhe Leandra Bogdanoviq, të cilët arritën të fitojnë medaljet e arta. Resulbegoviq fitoi të tre ndeshjet e zhvilluara, ndërsa Bogdanoviq gjithashtu shënoi tri fitore, duke u ngjitur në shkallën më të lartë të podiumit.

Medaljet e argjendta i fituan Xhihan Maniq, Rajana Bogdanoviq dhe Rea Nelaj.

Xhihan Maniq shënoi tri fitore radhazi dhe arriti në finalen e kategorisë së tij, ku u përball me përfaqësuesin e Serbisë. Në një finale të fortë, ai u ndal në hapin e fundit, duke e përfunduar garën me medaljen e argjendtë.

Me medalje të argjendtë u kurorëzuan edhe Rajana Bogdanoviq dhe Rea Nelaj, të cilat zhvilluan paraqitje shumë të mira. Të dyja shënuan nga tri fitore dhe arritën në finale, ku, pas ndeshjeve të forta, siguruan vendin e dytë dhe medaljet e argjendta.

Medaljen e bronztë për TKD Ulqini e fitoi Nejra Dervisheviq, e cila triumfoi në ndeshjen e parë, ndërsa u ndal në takimin e dytë.

Turneu “Kupa e Serbisë” mblodhi mbi 800 sportistë nga vende të ndryshme të rajonit, duke e bërë këtë garë një nga turnetë e rëndësishëm të taekwondos në rajon.

Një rezultat i veçantë për klubin nga Ulqini është edhe klasifikimi ekipor në kategorinë Young Cadet, ku TKD Ulqini, edhe pse u përfaqësua vetëm me gjashtë garues, arriti të renditet në vendin e pestë në konkurrencën e më shumë se 60 klubeve.

TKD Ulqini falënderon në mënyrë të veçantë prindërit për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, si dhe të gjithë ata që kontribuojnë në zhvillimin dhe suksesin e sportistëve të rinj të klubit.

Tkd Ulqini

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi