Shkruan: Dr. Gani Karamanaga
Familja e Nimanbegëve është e dalluar në Ulqin për dy karakteristika: e kanë pasur barkën me vela më të madhen ndër ulqinakë dhe ndër shqiptarë në përgjithësi, ‘Poskiq’, si dhe, Jakup Begu, i pari ndër ulqinakë mori diplomën kapidan i lundrimeve të gjata.
Për këtë familje të famshme pronarësh barkash dhe detare, na kallëzon zotëri Hajro Nimanbegu (1940).
Familja është e lindur dhe e rritur në Kala (të Ulqinit). Informatori na thotë: – E mbaj në mend, por si dhe janë kallëzime prej nënës së madhe, gjyshes Mine.
Një djalë, s’ia mbaj në mend emrin, nga fillimi i shek. XIX, dy hallat e veta, të fesë tjetër, kanë vdekur më 1815 dhe më 1818. Shtëpinë e kanë pasur te shtëpia e Niman Begut.
Tre breza kanë shkuar: 1) Nimani I, 2) Jakupi I, 3) Nimani II. Nimanit II i fali zoti 4 fëmijë: Jakupi, më i madhi, Hyseini, Maliqi dhe gjyshi im – Rashidi.
Të gjithë kanë qenë detarë. I madhi dhe i vogli e kanë vazhduar pa shkëputje lundrimin, detarinë. Tanë jetën e kanë kaluar si lundrues, detarë, si edhe Maliqi.
JAKUPI, në Ulqin, si kapidan i parë i lundrimeve të gjata, i pari ishte që e ka marrë diplomën me shkrim, në prill të 1905, nga Principata e atëhershme e Knjaz Nikollës.
RASHIDI nuk më kujtohet datëlindja, ka vdekur më 1927, në Durrës. Në breg e ka zënë qymyri. Po ashtu ka qenë kapidan, i lundrimeve bregore dhe mesdhetare.
Hyseini është marrë me detari dhe tregti. Ka lundruar kohë pas kohe. Ka vdekur dikur me 1947 në Ulqin.
Nga familja e Jakup Begut, djali më i madhi, dy djemtë e tij: Nimani IV dhe Hyseini (babai i Cafo Nimanbegut) kanë qenë motorista. Nimani IV ka qenë edhe vozitës i anijes. Djali i Nimanit IV, djali i tretë i tij – Skënderi, është kapidan i parë ndër Niman-begët, kapidan i lundrimeve të gjata, i shkolluar.
Në Kotorr e ka mbaruar Shkollën e Mesme dhe atë të Lartë të Detarisë, e ka titullin kapidan i lundrimeve transoqeanike. Skënderi punon në portin e Tivarit, tash në një agjenci të eksportit. Të tjerët – shpjegon informatori ynë – nuk janë marrë me detari.
Nga familja e Rashid Begut (edhe Rashidi është kapidan), djemtë e tij: Enveri, është kapidan i lundrimeve bregore. Ndër të parët pas Luftës II Botërore ka qenë me diplomë edhe djali i dytë, Muhamedi, ndjesë pastë – ka qenë detar – noshtromo. S’ka pasur mundësi të aftësohet, të shkollohet më gjatë.
Familja e Enver Begut, djali i dytë, Rashidi, është kapidan e ka kryer Shkollën e Lartë të Detarisë në Kotorr.
Nga familja e Hysein Begut s’është marrë më kush me det. Janë marrë me tregti.
Nga familja e Maliq Begut, vëllai i tretë sipas moshës, të gjithë janë marrë me detari.
Fahrija (Jushi) – marinar – peshkatar.
Avdoja – kapidan (s`janë shkolluar, por kanë marrë certifikata gjegjëse). Ka lundruar nëpër Mesdhe.
Serveti – marinar – noshtromo.
Zyti – ka vozitur jaht të Zarës. Është kapidan i anijeve turistike, anijeve të veçanta. Është lundrus i rrallë në Ulqin.
Prej të gjithë këtyre të gjallë janë: Avdoja më i moçmi, është në pension. Zyti, i dyti nga
mosha, është i papunë, meqë punonte në Kroaci. Skënderi, thamë, punon në Tivar. Reshoja është në Amerikë dhe Ulqin.
Këtu e përfundojmë tregimin për familjen detare Nimanbegu.
Po sa shumë që di ky Hajro Nimanbegu, e sa pak më tha! Shëndosh! Sigurisht një herë tjetër do të më kallëzojë për detin, detarët, barkat…
Do të më flasë për të tjera ngjarje të Ulqinit, Kalasë…
Hajro Ulqinaku
