Trajnimi për gratë në politikë : PËR BARAZINË GJINORE KA ENDE SHUMË PUNË PËR TË BËRË

Të enjten, më 12 tetor, në hotelin “Nobel” në Ulqin, shoqata joqeveritare “Instituti Punta” organizoi trajnimin për forumet e grave të partive politike në nivel vendor.

Në trajnim u fol për barazinë gjinore, kurse pozita e gruas në shoqëri u analizua nga aspekte të ndryshme, me theks në pozitën e gruas në politikë.

Pjesëmarrëset u pajtuan se statusi i gruas është ende jashtëzakonisht i pabarabartë në krahasim me statusin e meshkujve, se gratë përballen me sfida dhe pengesa të shumta siç janë llojet e ndryshme të dhunës: verbale, seksuale, ekonomike…

Nëpërmjet shkëmbimit të përvojave personale dhe analizës së situatës në shoqëri, pjesëmarrëset u pajtuan se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mbështeten gratë në pozita, si dhe të edukohen dhe vetëdijësohen të gjithë pjesëtarët e shoqërisë për rëndësinë e barazisë gjinore.

Gjithashtu, trajnimi u fokusua në ngritjen e kapaciteteve avokuese të grave që veprojnë brenda partive politike, si dhe në pjesëmarrjen aktive të grave në procesin e krijimit të politikave lokale dhe përfshirjen në proceset vendimmarrëse.

Ligjëruese në trajnim ishin Nada Drobnjak dhe Ivana Rashçanin Radiçeviq, trajnere të certifikuara të UNDP-së për barazinë gjinore në sektorin publik dhe politikat publike. Moderatore ishte Hadixha Gjoni, ish-nënkryetare e Komunës së Ulqinit dhe këshilltare shumëvjeçare në parlamentin lokal, ndërsa pjesëmarrëse ishin përfaqësueset e shumicës së partive politike që veprojnë në nivel vendor dhe shtetëror.

Projekti “Qytetarisht dhe vullnetarisht – politika gjinore aktive për Ulqinin!”, që zbatohet nga Instituti Punta, u mbështet në kuadër të programit “OJQ-të në Mal të Zi – nga shërbimet bazë deri te formësimi i politikave – M’BASE” i zbatuar nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO), Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Zogjve (CZIP) dhe rrjeti Politikon. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi