Rreth njëqind njerëz, përfaqësues të pushtetit lokal, partive politike, parlamentarëve dhe organizatave të sektorit civil, me përcjellje të punëtorëve të Kripores, kishin mundësi sot të binden në gjendjen katastrofike në të cilën është katandisur fabrika më e vjetër në Ulqin.
“Mbas tetë dekadash ekzistencë është në pikëpyetje funksionimi i mëtejmë i kësaj kompanie dhe një traditë e mrekullueshme”, tha kryetari i organizatës sindikale në Kripore Marko Miranoviq duke treguar në gjendjen e keqe të baseneve në të cilët dikur, me punën e diellit dhe erës, është kristalizuar kripa e detit.
Kryetari i Këshillit për përcjelljen e procesit të privatizimit në Kuvendin e Malit të Zi Janko Vuçiniq ka thënë që për këtë çështje duhet të tregohet që interesi i Ulqinit dhe i Malit të Zi është më i madh se interesi i disa njerëzve të cilët këtë hapësirë dëshirojnë ta shndërrojnë në tokë ndërtimore.
“Nevojitet përgjigje e përbashkët e të gjitha strukturave për shkak të situatës së tillë në Kripore”, tha deputeti Genci Nimanbegu.