Sot në zyrën e Unionit demokratik të Shqiptarëve në Ulqin, kryetari i kësaj parti Mehmet Zenka me bashkëpunëtorët e vet, priti ekselencën e tij, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi Ernal Filo.
Takimi, i cili u organizua me iniciativën e Ambasadës shqiptare, shërbeu që kryediplomati i Shqipërisë në Mal të Zi të njoftohet me gjendjen dhe situatën politike të pakicës shqiptare në këtë vend.
Krahas shqetësimeve të përbashkëta për gjendjen politiko-ekonomike të Shqiptarëve në Mal të Zi, palët në takim arritën në përfundim të përbashkët se është i domosdoshëm bashkëpunimi ndërpartiak i subjekteve politike shqiptare.
Në këtë takim kryetari i UDSH-së shprehu brengosjen për përkeqësimin e statusit të pakicës Shqiptare në Mal të Zi, si dhe për defaktorizimin politik të tyre. Gjithashtu, Zenka theksoi se Shqiptarët në Mal të Zi nuk kanë vetëm kërkesa për të drejtat politike, por edhe kërkesa për të drejtat ekonomike.
Ambasadori Filo tregoi gatishmëri që të ndihmojë bashkëpunimin sa më frytdhënës të partive nacionale shqiptare.