Ulqini dhe ulliri janë binjakë. Në asnjë vend tjetër në Adriatik, si në Ulqin, nuk ka një kompleks unik të ullinjve, ku janë mbi 85 mijë rrënjë të kësaj bime të bekuar. Bëhet fjalë për pemë qindravjeçare të varietetit autokton vajuk, i cili ka një shije të mrekullueshme dhe është shumë e pasur me vaj. Prandaj në gjuhën shqipe mban emrin vajuk.
Në Statutin e qytetit të Ulqinit e vitit 1330, përcaktohet që të nënshtruarit duhet të mbjellin dhe kultivojnë ullinj dhe se fidanët e kësaj bime nuk mund të eksportohen.
Prerja e kësaj peme të shenjtë ishte e ndaluar, kurse mbjellja e saj ishte një vepër e pëlqyer te Zoti.
Prandaj në mesjetë në Ulqin u vendos rregulli sipas të cilit asnjë i ri nuk mund të martohej pa mbjellë paraprakisht 60 rrënjë ullinj.
Nga ullishtaria dhe detaria gjithmonë është siguruar jetesa, atyre u janë thurur këngë, kurse deti dhe ulliri janë në stemën e qytetit.
Detarët udhëtonin, mësonin gjuhë të huaja, njihnin kultura dhe qytetërime të tjera dhe fitonin para me mund të madh. Ishte, siç thuhet, bukë me gjak. Krahasuar me detarinë, kultivimi i ullirit ishte një aktivitet i këndshëm ekonomik.
Prandaj ulqinakët thoshin: “Fito në det dhe bli në tokë”, si dhe “Nëse ke para tepër, bli ullinj”.
Ulqinakët janë shumë krenarë për ullishtat e tyre, sepse janë pjesë e traditës së tyre shekullore, dhe do t’ju flasin me pasion për to dhe do t’ju sugjerojnë t’i vizitoni. Nëse është koha e mbledhjes, si nikoqirë të mirë, ata do t’ju sugjerojnë që t’i mblidhni së bashku dhe më pas t‘i përpunoni në mullinjtë pranë, në mënyrë që të merrni me vete vaj ulliri ekstra të virgjër.
Pra, ulliri është burim jete dhe shëndeti, lidhje me trashëgimin familjare dhe kulturore. Është një mënyrë jetese, një pemë e shenjtë, vetia bazë e së cilës është të dhurojë, të heshtë dhe të durojë. Dhe gjithmonë na kthen shumë më tepër sesa që i japim.
Ka pasur edhe periudha pakujdesi afatgjatë për ullirin. Shumë kultivues ia kthyen shpinën ullirit, duke besuar në fitime më të shpejta nga turizmi. Ulliri priti me durim, prandaj me të drejtë krahasohet me një nënë që fal djalin e saj edhe kur ai nuk kujdeset për të.
Megjithatë, vitet e fundit vihet re një trend i dukshëm i kthimit te ulliri. Janë mbjellë rreth 40 mijë fidanë të rinj dhe ky trend po vazhdon. Po investohet në teknologji të reja, prandaj cilësia e vajit të Ulqinit po përmirësohet. Si rrjedhojë, ullishtarët vendorë marrin rregullisht çmime në garat rajonale, ndërsa vaji i Ulqinit përdoret në hotelet më të njohura të këtij shteti.
Ullishtaria është kthyer sërish në markë dhe çmimi i vajit si dhe cilësia e tij po rriten vazhdimisht.
Për këtë mundohet të kontribuojë edhe pushteti vendor, ndaj së fundi ka formuar Sekretariatin për Bujqësi, Zhvillim Rural dhe Ekologji. “Në këtë mënyrë ne si administratë e re lokale treguam përkushtimin tonë për zhvillimin e bujqësisë dhe veçanërisht ullishtarisë, që është traditë e jona”, thotë kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari.
Teksti u krijua në kuadër të projektit për promovimin e potencialeve të bujqësisë dhe turizmit në Ulqin, të financuar nga Ministria e Kulturës dhe Mediave në kuadër të Fondi për Inkurajimin e Pluralizmit dhe Diversitetit në Media. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e OJQ “Ul info” dhe jo domosdoshmërisht pasqyron qëndrimet e Ministrisë.