“Ne në Ulqin themi se Ulqini, ullinjtë dhe deti janë sinonime dhe i çojmë mysafirët në Ullishtë me dashuri. Në Tivar theksojnë se ullini është emri i Tivarit dhe krenohen me Ullirin e Vjetër. Në Budva kanë Ullinin e madh. Në gjirin e Bokës, ullishtaria po rikthehet gjithnjë e më shumë. Por rreziku mbi këto zona është më i madh se kurrë”, thotë punonjësi i turizmit për një kohë të gjatë, Ismet Karamanaga.
Ai argumenton se është e nevojshme të mbrohen zonat ku pemët e ullinit kanë mbijetuar me shekuj si themel i identitetit, autenticitetit dhe autoktonisë tonë. “Një miku ynë nga Gjermania thoshte se çdo ulli i vjetër vlen sa një hotel. Ata janë thesari i këtij qyteti dhe kjo duhet të na bëjë të lumtur dhe krenarë, por edhe të obliguar që ta prezantojmë këtë zonë si një zonë unike për kultivimin e ullirit për botën dhe mysafirët që vizitojnë rivierën e Ulqinit”, thotë Karamanaga.
Prandaj, vëmendje e duhur kësaj industrie i është kushtuar në Planin Zhvillimor Strategjik të Komunës së Ulqinit deri në vitin 2028 (PZHS) si dhe në Planin Hapësinor dhe Urbanistik të Komunës së Ulqinit.
Siç thuhet në PZHS, ullishta e vjetër zënë 300 hektarë, ndërsa ullishtat e reja do të kenë 70.000-80.000 pemë në gjithsej 250 hektarë. Për këtë, theksohet se duhet të brendohen produktet e këtij rajoni, si dhe të nxitet prodhimi i ullirit dhe vajit të ullirit.
Një nga projektet më të rëndësishme në PZHS vlerësohet “Ndërtimi i një qendre turistike për ekskursione, argëtim, rekreacion dhe vëzhgim të natyrës në Valdanos dhe revitalizimi i Ullishtës në Valdanos”.
“Ullishta e Valdanosit ka 18 mijë pemë ulliri nën plantacionin e saj, e cila gjithashtu ka një vlerë të veçantë kulturore, duke qenë se është një ullishte rreth 2000 vjet e vjetër dhe mbrohet nga Ligji i Ullirit”, thekson PZHS, duke shtuar se për kultivimin e ullinit me cilësi të lartë kërkohet:
– Revitalizimi i plantacioneve ekzistuese (krasitje, përtëritje, plehërim, trajtim i tokës, lërim dhe kultivim)
– Rikonstruksioni i plantacioneve (ngritja e mureve të thatë, ndërtimi i rrugëve hyrëse në dhe brenda Ullishtës, mbushja e hapësirës me fidanë të rinj dhe shartimi i varieteteve të papërshtatshme për prodhim).
Vlera e këtij projekti llogaritet në dy milionë euro.
Karamanaga vëren se Ullishta e Valdanosit duhet të gëzojë një shkallë të veçantë mbrojtjeje, që do të thotë se duhet të renditet në të gjitha hartat turistike si një “rajon i ullinit”, ku rritet varieteti autokton “vajuk”.
Sipas tij, si shteti ashtu edhe Komuna duhet të ndihmojnë sistematikisht ullishtarët nëse duam që vendi jonë të jetë në hartën botërore të prodhuesve të vajit të ullinit premium dhe të shndërrohemi në një destinacion të njohur për turizmin e ullinit. “Sepse, ne nuk duhet të konkurrojmë me vendet e Mesdheut për nga sasia e vojit të prodhuar, por falë asaj që na lanë të parët tanë, për nga cilësia. Dhe në turizëm, për cilësinë e shërbimeve, çmimeve të arsyeshme dhe mikëpritjen”, shton Karamanaga.
Ky tekst është krijuar si pjesë e projektit Turizmi i Ullirit – një vend i ri në ofertën turistike, promovimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Ulqinit, financuar nga Ministria e Kulturës dhe Medias, nga Fondi për Nxitja e Pluralizmit dhe Diversitetit Mediatik. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e OJQ-së “Ul info” dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë.