Ulqin: Doli në shtyp numri 19-20 i revistës «Dija»

Revista vjetore e Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi hapet me një thënie të Lao Cés dhe sjell poezi, prozë, ese, studime, histori e traditë ulqinake

Nëse jeni depresiv, jetoni në të kaluarën.

Nëse jeni në ankth, jetoni në të ardhmen.

Nëse jeni të qetë, jetoni në të tashmen.

Lao Ce (rreth viteve 604-531 p.e.s.)

Me këtë thënie hapet numri 19-20 (2025/26) i «Dijes», revistës vjetore për shkencë, art dhe kulturë që del në Ulqin. Zgjedhja nuk është e rastësishme. Lexuesi i «Dijes» e ka mësuar të presë prej saj pikërisht këtë: një ndalesë të qetë në të tashmen, ku e kaluara e qytetit dhe e krahinës lexohet pa ankth, e ku e ardhmja nuk shtyhet nga frika, por ndërtohet me punë e me kujtesë.

Revista doli për herë të parë në vitin 2003 dhe hyn këtë vit në vitin e nëntëmbëdhjetë të jetës. E boton Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi, i themeluar më 12 nëntor 2002 në Ulqin dhe i riregjistruar më 13 shkurt 2013 në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Podgoricë. Numri ka gjithsej 223 faqe dhe u botua me mbështetjen financiare të Kryetarit të Komunës së Ulqinit, z. Genci Nimanbegu, përmes konkursit për subvencionimin e projekteve të personave fizikë që merren me veprimtari kulturore.

Kujtimi i dy emrave të humbur në 2025

Numri hapet me një kujtim për Qani Osmanin (1960-2025) dhe Ibrahim Berjashin (1948-2025). Për Osmanin shkruan Ismet Karamanaga («Qani Osmani – një jetë kushtuar pendës dhe dijes»), ndërsa Hajredin Kovaçi i kushton Berjashit një shkrim në njëvjetorin e ndërrimit të jetës. Berjashi është i pranishëm edhe me vargjet e tij, «E gëzosh emrin e bibliotekës», ndërsa Osmani me studimin «Identiteti kombëtar në sfidat e kohës».

Letrare

Poezia shqipe hapet me një cikël të gjatë të Hajro Ulqinakut, tërësisht kushtuar detit: «Më thërret deti», «Testament», «Tallazet» (në dy variante), «Lutje», «Ulqin, ti det» dhe «Ulqini – florini», ndër të tjera. Poezi sjellin gjithashtu Xhevahir Spahiu, Halil Matoshi (me «Burgu i Prishtinës. Zinxhirët -II-»), Arjan Kallço, Shefkije Islamaj, Arian Leka, Rita Petro, Rina Kovaçi, Jaho Kollari dhe Sulejman Dërmaku.

Seksioni i poezisë së Ballkanit sjell Jasna Shamiqin, Tanja Bakiqin, Jelena Neleviq Martinoviqin, Jovan Nikollaidisin dhe Tin Ujeviqin. Poezia botërore përfshin Alda Merinin, Charles Bukowskin, Martha Rivera Garridon, Elizbeth Grechin dhe Lucilla Trapazzon. Në prozë janë Jaho Kollari («Brahushi ‘Kalase»), Nexhat Halimi («Kali i ngritur kas»), Sulejmani argëzon dhe Dushko Millaçio («Gushtakët dhe politika»).

Ese dhe ex-libris

Në ese shkruajnë Jovan Nikollaidis, me tekstin «Kuptimi në pakuptimësi» mbi dadaizmin, dhe kryeredaktori Gazmend Çitaku, me «Valdanosi – epopeja e ullirit dhe simfonia e detit». Rubrika «Ex-libris» përmban vlerësime për libra të autorëve ulqinakë: Jaho Kollari, Rozafa Shpuza, Sidorela Berishaj, Ali Gjeçbritaj dhe Naim Berisha shkruajnë mes të tjerash për Aventurat e Dorartit dhe për «varkën» shkencore të Hajro Ulqinakut.

Studimore, histori, gjeografi, traditë

Studimet e këtij numri janë të Qani Osmanit, të Dr. Nail Dragës («Parlamentarizmi dhe shqiptarët në Mal të Zi, 1990-2020») dhe të Majlinda Kurtit mbi varësinë nga ekrani. Në rubrikën e historisë hyjnë Dr. Anton Lulgjuraj (varrezat tumulare në malin Mozhur), Mustafa Canka (detarët ulqinakë në aksion), Sami Flamuri (kisha e Shën Sergjit dhe e Bakut në Shirgj të Bunës), Hajredin S. Muja (liqeni i harruar i Zogajve) dhe Naim Flamuri, që shqyrton pretendimet serbe mbi Skënderbeun.

Gjeografia sjell Dr. Ervis Krymbin, mbi përshkrimet e studiuesve të huaj në paraqitjen e hartave të trojeve shqiptare, dhe Prof. Dr. Maksut Xh. Haxhibrahimin, mbi veçoritë hidrografike të lumit Buna.

Rubrika e traditës sjell Gazmend Çitakun (sahatkulla në Ulqin, 1754, dhe arka e nuses, arka e pajës), Prof. Dr. Maksut Xh. Haxhibrahimin (krojet e vendbanimeve rurale të prapavijës së Ulqinit), Muhamed Gjokajn (Aquaeductus Docleae, Via e Dukjanit), Arben Berjashin («Shtëpia që ndërtoi civilizim», trashëgimia kulturore e Krajës), Ali Gjeçbritajn (tezjehu / tezjahu) dhe Zenepa Likën (kriporja e Ulqinit, forca e heshtur e trashëgimisë industriale). Numri mbyllet me një udhëpërshkrim nga Qezi dhe Adem Pajaziti.

Të dhëna për numrin

Titulli: Dija, revistë vjetore për shkencë, art, kulturë

Numri: 19-20, 2025/26, viti XIX, Ulqin (numri 1 doli më 2003)

Kryeredaktor: Gazmend Çitaku

Redaksia: Dr. Gani Karamanaga, Dr. Anton Lulgjuraj, Hajro Ulqinaku, Mustafa Canka, Jaho Kollari, Ali Gjeçbritaj

Botues: Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi

Vëllimi: 223 faqe

ISSN: 2336-9310

COBISS.CG.ID: 22278416

 

(Sami Flamuri, Koha javore)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi