Qeveria e Malit të Zi shqyrtoi mundësinë e dhënies së pëlqimit Komunës së Ulqinit për ndërtimin e përmendores viktimave të tërmetit të vitit 1979.
“Lokacioni i propozuar i përmendores do të jetë në afërsi të Kalasë dhe molit, meqë Kalaja e Ulqinit ishte zona më e goditur, ndërsa zgjidhja vizuale dhe forma do të përcaktohet me konkurs, pas marrjes së pëlqimit. Në përmendore do të skaliten emrat e qytetarëve të Ulqinit të cilët humbën jetën në tërmet”, thuhet në propozimin për dhënien e pëlqimit.
Mbledhja e Qeverisë u mbajt dje.
Përndryshe, me dispozitat e Ligjit për Përmendore, u përcaktua se përmendoret për ngjarje të rëndësishme nuk mund të ndërtohen para skadimit të afatit prej 50 vitesh nga dita kur ngjarja ndodhi, e në mënyrë të jashtëzakonshme, me pëlqim të Qeverisë, përmendoret për ngjarje të rëndësishme ose persona të njohur mund të ndërtohen edhe para afatit të paraparë me ligj.
Tërmeti i rëndë e goditi Malin e Zi para 40 vitesh.
“Duke marrë parasysh se me ndërtimin e kësaj përmendore në mënyrë dinjitoze do të respektohen viktimat dhe rikujton solidaritetin e të gjithë atyre që i ndihmuan të rrezikuarve, si dhe paralajmëron, në mënyrë simbolike, për fuqinë e tërmeteve dhe rëndësinë e projektimit sizmik, e duke marrë parasysh që nuk ekziston rreziku i devalvimit të kësaj ngjarje në të ardhmen, Ministria e Kulturë i propozon Qeverisë së Malit të Zi që të jap pëlqimin për ndërtimin e përmendores, para skadimit të afatit ligjor”, shkruan në dokumentin i cili dje u shqyrtua në Qeveri.