Të martën mbrëma do të mbahet raundi i parë i negociatave për formimin e pushtetit të ri në Ulqin, mëson Portali Ul-info.
Në negociata do të marrin pjesë shefi i Këshillit komunal të Partisë demokratike të socialistëve Loro Nrekiq dhe liderët e Forcës së re demokratike Nazif Cungu, Koalicionit “Bashkë për të ardhmen e Ulqinit” Fatmir Gjeka dhe Unionit demokratik të Shqiptarëve Mehmed Zenka.
Po ashtu, në emër të qendrës së PDS-së do të jenë të pranishëm edhe koordinatorët e partisë për Ulqin, Halil Dukoviq dhe Ivica Kaleziq.
Pritet që sonte pjesëmarrësit e negociatave për pushtetin e ri të shprehin qëndrimet e veta për platformën politike dhe ndarjen e funksioneve në administratën lokale dhe ndërmarrjet publike themelues i të cilëve është Kuvendi komunal.
Për shkak të fillimit të negociatave gjatë ditës së sotme janë mbajtur konsultimet intensive brendapartiake.