Prezantimi i projektit “Nga rrjetet sociale dhe angazhimi i të rinjve, përmes audio xhirove dhe realitetit të zgjeruar, deri tek hapsirat e reja për punë” me nxënësit/set e Gjimnazit Publik “Vëllazërim Bashkim” u mbajt këtë të premtë në Bibliotekën e Qytetit të Ulqinit.
Rreth ndikimit të ekologjisë dhe turizmit tek gjeneratat e reja në Mal të Zi kanë folur ekspertë të turizmit, shkencës dhe medias.
Nga Administrata lokale prezent ishte Lavdim Kroma ndërsa nga Sektori civil Zenepa Lika.
Dr. Vesna Maçiq përfaqësoi Institutin e Biologjisë së Detit, përderisa Michael Bader foli në rolin e ekspertit të medias dhe turizmit.
Si dy të rinj të cilët po japin kontributin e tyre në avancimin e turizmit ekologjik, folën çifti Rina dhe Artan Lika nga “Reborn by adventures”.
Panelistët iu përgjigjën pyetjeve të studentëve gjerman të cilët u interesuan reth gjendjes së Kripores së Ulqinit, mundësive për thithjen e një numri më të madh të turistëve në këtë zonë.
Një theks i veçantë gjatë këtij tubimi është vënë tek mënyrat për rikthimin e turistëve gjerman në Ulqin, gjë që sipas Ekspertit të turizmit Michael Bader duhet të ndodhë me doemos. Sipas z.Bader “duhet ndryshuar target grupi dhe mënyra e promovimit të ofertës turistike, me qëllim që të kemi turistë edhe jashtë sezonit verorë.
Në fund të mbrëmjes të pranishmit patën mundësi të shijojnë disa nga specialitet e tryezës së pasur ulqinake të cilat mund të zënë një vend të rëndësishëm në ofertën turistike të Ulqinit.