Vizita e varreve të evlijave, dëshmorëve dhe dijetarëve për bekim dhe lutje ndaj Zotit të dashur ishte një praktikë e pranishme në të gjitha brezat e muslimanëve në Ulqin dhe Tivar. Një gjë e tillë u miratua nga autoritetet e fesë, ndaj nuk është për t’u habitur që në zonat e këtyre qyteteve sot ka rreth njëzet tyrbe (mauzoleume).
Një nga më të njohurat është sigurisht ajo në Ranë, ku tre shekuj më parë kishte një teqe të urdhrit të dervishëve – sadi. Shejhët e tyre të shquar morën pjesë në mbrojtjen e Ulqinit në vitin 1718. Për dy viktimat, ulqinakët, në shenjë mirënjohjeje dhe përkujtim të vazhdueshëm të brezave të ardhshëm të heroizmit të tyre në mbrojtjen e qytetit nga venedikasit, ndërtuan tyrbe.
Ky vend kulti vizitohet shpesh nga vizitorë dhe turistë të të gjitha besimeve dhe kombeve dhe mirëmbahet me shumë respekt nga familja Peku.
Tyrba e famshme e Hasan-Dedes, e ndërtuar në vitin 1612, kishte një vlerë të veçantë në Tivarin e Vjetër. “Ishte një lloj faltoreje që vizitohej herë pas here, sidomos në Bajram. Të varfrit, njerëzit e pushtuar nga fatkeqësia, veçanërisht në të kërkonin ngushëllim”, shkruan publicisti Zhelko Miloviq.
Në dekadat e fundit, një nga vendet më të njohura për t’u vizituar është tyrbja në Ostros, ku është varrosur Sheh Tahir Kanaqi (1908-1985).
Ishte ai kolosi i fundit i sufizmit në këtë hapësirë nën Rumi, autoriteti i pakontestueshëm shpirtëror, produkt autentik i të menduarit dhe praktikës sufi, një njeri i shenjtë, visar i sekreteve, i cili me vet mëshirën e Zotit lidhte këtë botë me botën tjetër.
Sheh Tahiri gjithmonë ishte në shërbim të njerëzve dhe gjithmonë i vetëdijshëm për Zotin e Plotfuqishëm!
Me dijen dhe këshillat e tija i ndihmoi mijëra njerëzve. Një nga dijet e tija sekrete ishte që çdo njeriu ja dinte emrin edhe pse se kishte takuar më përpara!?
“Të gjitha besimet e kësaj bote janë si lulet e një kopshti. Çdo religjion është dritë në terrin e paditurisë dhe secila në mënyrën e vet ndihmon, pavarësisht nga ngjyra e saj”, thoshte ky prijës i madh rufai. Miku i tij i vlerësuar, don Fran Markiqi, thotë se Kanaqi e donte çdo njeri me dashuri të madhe, pavarësisht nga vjen, cilës fe apo komb i takon. “Sheh Tahiri nuk vdiq. Ai jeton, do të jetojë dhe veprat e tija nuk do të harrohen asnjëherë”, mendon ky prijës fetar katolik.
Atë çfarë na porositën mësuesit tanë të mëdhenj është që qeniet njerëzore – me kusht se posedonin bekimin për së gjalli – bëhen burim edhe më i fuqishëm i bereqetit pas largimit nga kjo botë.
E Shehu i mençur në një poezi të tijen na mësoi kuptimin e simboleve të përhershme të kohës:
Jeta, ka vetëm ndryshime
Së soset kurrë, ja me të vërtet
S’ka filles as s’ka mbarime
Kje e asht edhe do t’jetë.
Një nga lutjet e tij të fundit, por edhe të mirëve, ishte: “O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh! (Ali Imran, 8)
(Ky tekst u krijua në kuadër të projektit të promovimit të ndërkulturalizmit në Ulqin dhe Tivar, të cilin e financon Ministria e Administratës Publike, Shoqërisë Digjitale dhe Mediave, nga Fondi për nxitjen e pluralizmit mediatik dhe shumëllojshmërisë së mediave.)