Ulqini si destinacion i shkëlqyer për turizëm rekreativ

Ulqini është zgjedhja e duhur për të gjithë ata që vërtetë dëshirojnë të shijojnë bukuritë e natyrës. Plazhet më të bukura ranore në Evropë ofrojnë mundësi për pushim të vërtet dhe aktiv. Mund të kënaqeni në diell, të luani vojeboll, badminton ose tenis, të shëtisni pranë detit në Pyllin e Pishave ose Ullistë, të bëni surf, zhytje në det…

Plazhi i Madh në Ulqin është një nga destinacionet më atraktive për surf dhe, sipas mendimit të surfistëve me eksperiencë, ka potencial të jashtëzakonshëm. Era, plazhi ranorë dhe numri i madh i ditëve me diell gjatë vitit janë kombinimi ideal për kitesurfing.

Ulqini është parajsë për ata që duan të shëtisin dhe në të njëjtën kohë të admirojnë bukuritë e natyrës. Mundësi të panumërta për hiking janë lehtësisht të arritshme për turistët: mund të shëtisin dhe të marrin ajër të pastër buzë detit, në Pyllin e Pishave, në rrugicat e Ullishtës, buzë baseneve të Kripores, dhe nëpër shtigjet e vjetra deri në majat e kodrave dhe maleve përreth, Mozhur dhe Rumi.

Vizita e fshatrave në brendësi do t’ju japë një vështrim për të kaluarën dhe mënyrën e dikurshme të jetesës në këtë zonë.

Mjekët në veçanti rekomandojnë ecjen në cektësitë ranore në Plazhin e Madh dhe të Vogël.

Për gati katër dekada, kalërimi është një nga atraksionet në ishullin e mrekullueshëm lumor në grykëderdhjen e Bunës në Detin Adriatik. Mjekët pohojnë se kalërimi ka ndikim terapik në organizmin e njeriut.

Aktivitete të ndryshme janë në dispozicion të sportdashësve në qytetin që shtrihet mbi ujë. Pothuajse në të gjitha plazhet mund të merrni me qira varka me pedale, barka dhe kanoe, si dhe skuter uji, tërheqje me parashutë, “banane” fluturuese…

Meqë Ulqini ka plazhe të gjata, me rërë, ekziston një traditë e gjatë e lojës “futboll me kokë në ujë” (në gjuhën malazeze: glavomet na vodi), e për shkak të startit të lehtë fillon edhe skijim në ujë. Skijimi është më i këndshme gjatë bonacës (detit të qetë), nga herët në mëngjes deri në orët e para të pasditës.

Bota nënujore e Ulqinit është një parajsë e vërtetë për entuziastët e zhytjes. Deti i pastër dhe bregu i thyer, rrënojat e paeksploruara të një sërë anijesh të fundosura, joshin njerëzit të zhyten dhe të shijojnë këtë botë misterioze nënujore.

Deti i Ulqinit, Buna dhe Liqeni i Shashit janë shumë të pasur me peshq. Në deltën e Bunës ka 107 lloje peshqish. Nëse ju pëlqen gjuetia, tashmë e dini se në këtë zonë ka mbi 250 lloje shpendësh.

Në Adriatik , siç kanë shkruar shumë udhërrëfyes e gazetarë, nuk ka vend ku natyra ka qenë më bujare se në Ulqin.

Teksti u krijua në kuadër të projektit për promovimin e potencialeve të bujqësisë dhe turizmit në komunën e Ulqinit, të financuar nga Ministria e Kulturës dhe Mediave, nga Fondi për Inkurajimin e Pluralizmit dhe Diversitetit në Media. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e OJQ “Ul info” dhe jo domosdoshmërisht pasqyron qëndrimet e Ministrisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi