Inferioriteti i Ulqinit ndaj qyteteve tjera në bregdetin e Malit të Zi janë investimet e pamjaftueshme në infrastrukturë, lokale dhe shtetërore, deklaroi arkitekti Muho Uruçi, kandidat për këshilltarë i listës “Fillim i ri” për zgjedhjet në Ulqin.
“Prandaj, ky do të jetë një nga prioritetet e administratës së re lokale, e cila në bashkëpunim me pushtetin qendror do të iniciojë një sërë projektesh infrastrukturore. I erdhi fundi punës shkel e shko, dëshirojmë që përmes infrastrukturës ta lidhim Ulqinin me botën”, theksoi Uruçi.
Uruçi shton se në fokusin e vetëqeverisjes së re lokale, e cila në masë të madhe do të përbëhet nga koalicioni “Fillim i ri”, do të jetë ndërtimi i Bulevardit “Nënë Tereza”, rregullimi i shëtitores në Ranë, qendra e Shtojit, ndërtimi i 600 vendeve të reja për parkim, si dhe rikonstruktimi i fasadës në Çarshinë e qytetit.
“Plani ynë është që me pushtetet në Podgoricë dhe Tiranë të ndërtojmë urën mbi Bunë, e cila do të lidh dy shtete, por edhe të hapin pikën e re kufitare, si dhe pikën kufitare në det për të gjithë ato që nga deti dëshirojnë të vizitojnë Ulqinin dhe Malin e Zi”, theksoi Uruçi.
Ai tha edhe që në bashkëpunim me shtetin planifikohet realizimi i investimit të Sallave të Kinemasë në Ulqin dhe Katërkollë, ndërtimi i kopshtit për fëmijë në Fushën e Ulqinit, si dhe pastrimi i Port Milenës dhe krijimi i kushteve për ndërtimin e marinës.