Virgjëresha e bekuar Mëria (në islam hazreti Merjem) dhe kulti i saj janë të rrënjosura në kultin e Tivarit dhe Ulqinit. Jo vetëm për faktin se ajo është gruaja më e mirë dhe më e çmuar që eci në Tokë po, ndoshta, edhe për arsye se sipas mentalitetit të këtushëm gruaja gjithmonë mbante vendin e nderit. Në veçanti gruaja e shenjtë siç ishte Mëria e bekuar, shembulli dhe simboli më i bukur i dëlirësisë, pastërtisë, mëshirës dhe përkushtimit të plotë ndaj Zotit të Dashur.
Reliket e Shën Vladimirit prej vitit 1018 gjendeshin në manastirin “E Papërlyera e Krajës”, në shpatet e Rumisë, të cilin e ndërtoi sunduesi Pjetri, në mesin e shekullit 10. Në këtë kish bënin pelegrinazh besimtarët nga e tërë Prevalitana (Dioklea) për pothuajse 200 vite, deri kur eshtrat e tija u transferuan në Durrës.
Në kepin e vogël Rotec, në relievin e vetmuar në pjesën veriore të gjirit të Tivarit, gjendej një nga vendet e shenjta mëriane më të njohura në bregun lindor të Adriatikut – opatia benediktiane e Shën Mërisë së Rotecit. Prej shekullit 13, me ardhjen e ikonës së Shën Mërisë, ky vend bëhet pikë e rëndësishme e pelegrinazhit, e famshme dhe e pasur, abatët e së cilës i emëron vet papa i Romës. Për këtë arsye opatia e Rotecit, gjatë tërë ekzistencës së vet shumëshekullore, kishte rëndësi të madhe ekonomike, politike dhe diplomatike dhe ishte qendër e rëndësishme intelektuale e Zetës.
Së bashku me ikonën ishte edhe kripta (galeria e nëndheshme) me relike të shumta, që tërhiqnin pelegrinët nga zonat e afërta dhe të largëta. Të gjithë ato vinin me qejf dhe dhuronin me bollëk dhjatët, paratë dhe sendet e veta për nevojat kishtare, si dhe me testamente me të cilët, jo rrallëherë, tërë pronën e vet ia linin kësaj opati.
Detarët e kishin vendstrehim opatinë e Rotecit dhe në shenjë lojaliteti dhe falënderimi gjatë kthimit nga udhëtimi sillnin dhurata nga e tërë bota. Me këtë vepër në veçanti dalloheshin Dubrovnikasit dhe Kotorrasit.
Në pronat e kësaj opatie të cilët shtriheshin deri tek Petrovaci (Castel Lastva), u krijua vendi Sutomore, i cili sipas saj e morri emrin (Santa Maria).
Katolikët me shekuj shkonin në Rotec dy herë në vit, për të Enjten e Shenjtë, dy muaj pas Pashkëve dhe më 15 gusht, për Zojën e Madhe (Ngritja e Mërisë), gjersa besimtarët ortodoks shkojnë në pelegrinazh më 3 qershor, për Ditën e Konstandinit.
Pikërisht fal kultit të Shën Mërisë në Shas edhe Ulqini në mesjetë është bërë vend pelegrinazhi, magnet për besimtarët nga i tërë rajoni dhe Dalmacia.
Përveç kishës – manastirit monumental të Shën Mërisë në Shas, këtu veçanërisht është veçuar kisha katedrale e Shën Mërisë (S. Mariae maioris) në pjesën e poshtme të Kalasë së Ulqinit, e ndërtuar në fillim të shekullit 9. Pozita e saj ishte e dukshme për të gjithë ato që vinin në qytet përmes rrugës detare ose të cilët lundronin nëpër Adriatik.
Kulti i Shën Mërisë ishte aq fortë i shprehur saqë për këtë arsye ajo në mesjetë ishte mbrojtësja e qytetit të Ulqinit.
Edhe në pjesën e sipërme të Kalasë së Ulqinit në vitin 1510 u ndërtua kisha e Shën Mërisë e cila, pasi që Ulqini u pushtua nga Osmanlinjtë në vitin 1571, u riemërua në xhaminë e sulltan Selimit të II. Haxhi Halil Skura në vitin 1693 e ndërtoi minaren nga guri i gdhendur, në sipërfaqen katrore e cila shkon duke u ngushtuar deri në maje.
Kisha- xhamia me shekuj është monumenti më i bukur i bashkëjetesës së Perëndimit dhe Lindjes në arkitekturën e Ulqinit.
(Ky tekst u krijua në kuadër të projektit të promovimit të ndërkulturalizmit në Ulqin dhe Tivar, të cilin e financon Ministria e Administratës Publike, Shoqërisë Digjitale dhe Mediave, nga Fondi për nxitjen e pluralizmit mediatik dhe shumëllojshmërisë së mediave.)