Këngëtarja simpatike, Venera Lumani, ka vetëm disa ditë që ka publikuar këngën e saj më të re, që është një dhuratë nga i dashuri i zemrës për ditëlindjen e saj. Titulli i këngës mban datën e ditëlindjes së Venerës. Teksa e përshkruan këtë projekt, ajo duket shumë entuziaste dhe thotë se do të mbetet një nga këngët më të dashura për të. Arsyeja pse kjo këngë është kaq e veçantë është mëse e qartë! Që prej disa vitesh ajo po përjeton një histori dashurie me këngëtarin Lindi Islami, dashuri për të cilën flet me shumë pasion.
Ata shihen kudo bashkë, edhe në momente pune edhe jashtë saj. Sapo ka publikuar klipin e këngës “16 qershori”, por ajo thotë se është duke punuar sërish në një projekt të ri. Venera është produkt i disa talent show-ve që janë zhvilluar në Shqipëri. Prej kohësh ajo performon “live” në lokale të ndryshme të kryeqytetit, së bashku me Lind Islamin. Venera tregohet e rezervuar kur pyetet për Lindin, por nuk nguron të na tregojë për pushimet që do të kalojnë së bashku, për projektet muzikore që po punojnë dhe planet për të ardhmen.
Si lindi ideja për “16 qershori’-n?
Ideja e “16 qershorit” është ideja e Lindit dhe njëkohësisht dhurata e tij për ditëlindjen time. Ai e ka punuar këngën dhe ma prezantoi ditën e ditëlindjes. Më pas shkova në studio, e incizova dhe u bë materiali muzikor më i dashur për mua.
Me kë bashkëpunuat për këtë klip?
Klipi është realizuar në Malin e Zi, kryesisht në Ulqin, nga një djalë shumë i talentuar që quhet Ali Zigeli. Muzika është realizuar nga Lindi, ndërsa tekstin e ka shkruar Ledjan Nako të cilët dua t’i falënderoj edhe njëherë publikisht.
A ju ka ndihmuar pjesëmarrja në “The Voice of Albania” në karrierën tuaj?
Pjesëmarrja në “The Voice” më ka hapur shumë dyer. Fillimisht ishte vetë “Top Fest”-i ai që më hapi dyert ku pas një audicioni që bëra më zgjodhi prezantuese, gj֝ që më la pa fjalë.”
Cili është qyteti ku ndjeheni më mirë kur performoni?
Është një pyetje pak e vështirë, sepse për artistët çdo skenë, në çdo vend është e magjishme. Kështu që është ndjesi e veçantë në çdo qytet. Më pëlqen Tirana, më pëlqen Prishtina, Shkupi…
Ju shohim gjithandej me Lindin. Na trego pak më shumë për lidhjen tuaj…
Lidhja jonë sa vjen e rritet, ushqehet me më shumë e më shumë dashuri e pozitivitet.
Ju po jetoni bashkë. Keni marrë shtëpi në Tiranë?
Ka gati tre vite që unë jam në Tiranë, por gjithsesi më duhet të lëviz shpesh nëpër qytete të tjera. Kështu që jam në Tiranë, po aq sa edhe në Maqedoni e Kosovë.
A të pëlqen Tirana?
Tirana është qytet dinamik. Unë nuk jam nga ato njerëz që pëlqejnë shumë zhurmën dhe lëvizjet e tepërta, por gjithsesi Tirana mbetet një ndër qytetet e mia të dashura.
Së bashku krijoni çiftin perfekt. Kur do të hidhni një hap më shumë në këtë lidhje?
Haha… Besoj se ka kohë, pasi këto gjëra nuk bëhen me plan. Kur ta ndiejmë se ka ardhur momenti, do të hedhim një hap para. Edhe kështu jemi perfekt.
Kur do të publikohet dueti me Lindin, sepse fansat po presin…
Hmm… Po punojmë ende, por dua t’i lë të presin edhe pak. (Buzëqesh) E rëndësishme është që kënga do të jetë një produkt i punuar me shumë dashuri dhe do të publikohet së shpejti.
A do të merrni pjesë në spektaklet televizive që nisin në shtator?
Kam disa oferta të cilat po i analizoj dhe shqyrtoj se ku do ishte më mirë për mua për t’u shfaqur, domethënë më mbetet vetëm të zgjedh. Nuk kam vendosur asgjë, ende.
Ku do t’i kaloni pushimet?
Pushimet e mia janë punë dhe pushime, pra janë gjithmonë të lidhura me njëra-tjetrën. Sapo kalova disa ditë në Strugë dhe më pas disa ditë në Jug të Shqipërisë. Tani nuk e di kur do të më vi sërish mundësia që të lëviz apo të pushoj diku, të paktën për një fundjavë. Momentalisht jam e angazhuar me disa projekte dhe kjo më pengon.
Planet për të ardhmen…
Planet për të ardhmen janë shumë. Shumë angazhime dhe koncerte në të njëjtën kohë. Sapo kemi filluar punën për këngën e re, gjithashtu do të jem pjesë e koncertit të Anastacias më 25 gusht. (Shekulli)