Drejtori i Qendrës për kulturë në Ulqin Nail Draga së bashku me bashkëshorten Zejnepen dhe vajzën Barbanen çdo muaj në këtë institucion kanë të ardhura më shumë se 1550 euro, shkruan “Vijesti”.
Draga për këtë gazetë tha që në rastin e tij çdo gjë është sipas ligjit. “Nuk ka dilemë që bashkëshortja dhe vajza ime janë të punësuara në pajtim me të gjitha procedurat ekzistuese ligjore dhe kjo mund të vërtetohet lehtë”, tha ai duke shtuar që akuzat për nepotizëm ai i përjeton si insinuata.
“Bashkëshortja ime në Qendër punon tash dhjetë vite. Vajza është e punësuar prej para një viti e gjysmë, kur fitoj në konkursin e shpallur në mënyrë të rregullt”, tha Draga.
Ky funksionar i lartë i Forcës së re demokratike në funksion e drejtorit të Qendrës kulturore në Ulqin u zgjodh para pak më pak se dy viteve.
Theksohet që vajzën, gjegjësisht djalin e vet, në Qendër i punësuan dhe drejtorët e mëparshëm Sari Resulbegoviq dhe Shaban Gjekaj.