Të hënën në mbrëmje, për myslimanët fillon sipas kalendarit të hënës viti 1435 sipas Hixhres. Me këtë rast në xhaminë qendrore në Ulqin, Namazgjah, do të lexohet Kurani, salavatet për Profetin Muhamed s.a.v.s, do të këndohen ilahi dhe do të mbahet një ligjëratë.
Program i ngjashëm një ditë më vonë do të mbahet në Katërkollë, ku do të ligjëroi imami Naim Drijaj nga Shkodra.
Hixhri shënon shpërnguljen e Profetit Bujar dhe të myslimanëve të parë nga Meka në Medinë, gjegjësisht braktisjen e gjendjes së shtypjes dhe padrejtësisë dhe kalimin në gjendjen e lirisë dhe drejtësisë.
Muaji i parë sipas kalendarit Hixhri është muharem për myslimanët muaji i shenjtë, në të cilin është e ndaluar derdhja e gjakut të njerëzve dhe në të cilin është urdhëruar respektimi i jetës së njerëzve, nderit dhe dinjitetit.
“Lusim Allahun e Madhërishëm të na dhuroi dijen, urtësinë dhe guximin të përballemi me të gjitha sfidat dhe tundimet dhe të na dhuroi ardhmëri më të mirë dhe më të ndritur.
Me fat dhe begati Viti i ri Hixhri 1435”, thuhet në urimin e Bashkësisë Islame të Ulqinit.