Vizita e Misionit të Fondit të Adaptimit dhe UNDP-së në Komunën e Ulqinit

Të premten në Komunën e Ulqinit u mbajt takimi i rëndësishëm mes përfaqësuesve të Fondit të Adaptimit, Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Aleksandra Kikoviq, udhëheqëse e ekipit për zhvillim të qëndrueshëm dhe të gjelbër, dhe kryetarit të Komunës së Ulqinit, z. Genci Nimanbegu, me bashkëpunëtorë.
Takimi u organizua në kuadër të vizitës së misionit të donatorëve, me qëllim që të njihet nga afër me rezultatet e projektit, bashkëpunimin e deritanishëm, projektet e suksesshme dhe mundësitë për mbështetje të mëtejshme.
Gjatë takimit u prezantuan iniciativat për financim nga Fondi i Adaptimit, duke përfshirë projektin për menaxhim të integruar të rreziqeve nga përmbytjet në pellgun e zgjeruar të lumit Drin, i cili ka rëndësi të veçantë për Komunën e Ulqinit, veçanërisht në kontekstin e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore, bashkëpunimit ndërkufitar dhe mbrojtjes së burimeve të përbashkëta natyrore.
Projekti përfshin zgjidhje teknike për minimizimin e ndikimit të përmbytjeve dhe krijon hapësirë për zhvillimin e ekonomisë së gjelbër, bujqësisë së qëndrueshme, peshkimit dhe ruajtjes së biodiversitetit.
Sipas të dhënave të disponueshme, Qeveria e Malit të Zi po ndërmerr aktivitete për sigurimin e fondeve nga fondet e BE-së në vlerë prej 7 milionë euro, të destinuara për sanimin gjithëpërfshirës të argjinaturës në lumin Buna. Në këtë kontekst, më 27 maj u realizua një vizitë e trupës këshilluese të Komisionit Evropian – JASPERS, gjatë së cilës u dhanë prioritet projekteve për rindërtimin e argjinaturës dhe ruajtjen e stabilitetit ekologjik të Kripores së Ulqinit, zonë e mbrojtur me rëndësi ndërkombëtare.
Theksojmë në veçanti se, në kuadër të këtij projekti të financuar nga Fondi i Adaptimit, po forcohen kapacitetet teknike të Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit të Komunës së Ulqinit, përmes blerjes së pajisjeve të vlefshme për reagim në situata emergjente të shkaktuara nga përmbytjet.
Gjatë vitit 2024 përfunduan punimet për sanimin e segmentit kritik të argjinaturës Gropat–Shtodra, të cilat ndaluan proceset e erozionit dhe përmirësuan stabilitetin e zonës. Punimet u realizuan në përputhje me standardet më të larta ekologjike dhe sociale, duke zbatuar masat mbrojtëse të UNDP-së dhe Fondit të Adaptimit. Investimi prej 700.000 eurosh përfaqëson fillimin e ndërhyrjeve serioze infrastrukturore në fushën e mbrojtjes nga përmbytjet.
Pas takimit, delegacioni vizitoi vendin e sanimit Gropat–Shtodra për të parë nga afër punimet e realizuara.
Është veçanërisht e rëndësishme që, përmes bashkëpunimit të përbashkët, të fillojmë hartimin e Strategjisë Lokale për Reduktimin e Rreziqeve nga Katastrofat, e cila do të shërbejë si udhëzues për planifikimin strategjik dhe forcimin e qëndrueshmërisë së Komunës së Ulqinit ndaj ndryshimeve klimatike.
Në fund, dëshirojmë të theksojmë se UNDP, si partneri ynë shumëvjeçar, gëzon mbështetje të plotë nga vetëqeverisja lokale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi