Ishte ulqinaku që, gjatë jetës së tij u shqua për përkushtimin e tij të pashoq kudo ku punoi. Ai ishte simboli i njeriut të thjeshtë, punëtor dhe të dashur, i intelektualit të zot, novator, krijues dhe të ndershëm, i drejtuesit të palodhur e largpamës me shpirt të lartë sakrifice, i qytetarit dhe familjarit model në vlera e virtyte. Ing. Gani Gorana, falë punës, kontributeve, dhe të gjithë arritjeve në jetën e tij si Inxhinier e Drejtues në Hekurudhat Shqiptare, me plot të drejtë për gjithçka përfaqësonte edhe si bir i denjë i Ulqinit të tij të dashur, mund të quhet, “Kapedani ulqinak” i hekurudhave shqiptare. Ganiu, lindi më 16 Shtator 1940 në qytetin e Ulqinit, në një familje tradicionale e në zë ulqinake, por edhe me tradita patriotike. Nuk ishte as dy vjeç, pra në vitin 1942, kur familja e tij, si shumë familje të tjera ulqinake për arsye tashmë të njohura, largohet nga Ulqini dhe vendoset në Shkodër. Vetëm dy vjet në qytetin e Shkodrës dhe në vitin 1944, familja vjen në qytetin e Durrësit, ku gjen jo vetëm përkrahjen dhe mbështetjen e mjaft familjeve ulqinake, tashmë të vendosura prej kohësh, por edhe mikpritjen durrsake, e shprehur në ngrohtësinë dhe respektin, që aq bukur dhe me shpirt ato vetë dinë ta shprehin. Ganiu, për shkak të natyrës së tij shumë të dashur dhe shoqërore, shumë shpejt do të zinte shokët jo vetëm ndërmjet ulqinakëve, por edhe durrsakëve. Kjo vlerë e cilësi e karakterit të tij do ta shoqëronte tërë jetën. Ai tërë jetën e tij do të dhuronte dashuri, respekt, mbështetje e ndihmë për këdo që do të kërkonte ndihmesën dhe angazhimin e tij të pakursyer. Njëherësh Ganiu do të ishte edhe familjari, djali, bashkëshorti dhe prindi shembullor. Në shpirtin e tij, si biri i një familje ulqinake tradicionale, pse jo edhe fetare, do të kultivohej ndjenja e dashurisë për njerëzit, e përkushtimit dhe sakrificës për ta. Ai do të ishte gjithë jetën e tij mes njerëzve me tërë qenien e tij, me shpirtin e tij, me dijet, kontributin dhe ndihmesën e tij, prandaj dhe kudo ku punoi, Ganiu gëzoi dashurinë dhe respektin e pamasë të njerëzve të thjeshtë, të kolegëve, të bashkëpunëtorëve të tij, por edhe të ulqinakëve në Durrës, me të cilët kishte marrëdhënie shumë të afërta shoqërore e shpirtërore, pa folur për ato të fisnisë dhe të gjakut. Sa herë ishte e nevojshme dhe kërkohej ndihmesa e tij, Ganiu ishte përkrah ulqinakëve, me fjalën, angazhimin dhe kontributin e tij. Ai ishte dhe mbeti veprimtari i pashoq i Shoqatës Kulturore “ULQINI”-Durrës, mendimtar dhe frymëzues në punët e saj, si edhe nxitës dhe faktor bashkimi. Ganiu e kreu arsimin 7-vjeçar në qytetin e Durrësit, ndërsa atë të mesëm në Politeknikumin aso kohe “7 Nëntori”, sot Harry Fultz në Tiranë. Rezultatet dhe sjellja shembullore në shkollë, do ta dallonin nga bashkënxënësit. Ndërsa më pas, gjatë studimeve në universitet, ai do të ishte një ndër studentet, që do të mbaronte me rezultate shumë të larta studimet në Universitetin e Tiranës, Dega Inxhinieri Mekanike. I mbushur në shpirt me ëndrra dhe dëshira për të punuar, ai fillon punën si inxhinier i thjeshtë në Bazën Mekanike të Hekurudhës në vitin 1963. Edhe pse fare i ri, vetëm dy vjet punë si inxhinier i thjeshtë, falë nivelit profesional, aftësive drejtuese e organizative, emërohet Kryeinxhinier në Bazën Mekanike të Hekurudhës dhe vetëm pas tre vjetësh, në Detyrën e Kryeinxhinierit në Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave Shqiptare, të Drejtorit të Përgjithshëm të saj, si edhe plot detyrave të tjera me përgjegjësi, deri në atë të Zv/Kryetarit të Kom. Ekz. Rrethit Durrësit etj. Afro 35 vjet në krye të hekurudhave shqiptare, punë, pasion, sakrifica, tregues dhe rezultate. I pashoq ka qenë kontributi i tij. Veçanërisht i tillë, por edhe i madh, ka qenë kontributi i tij në rritjen dhe fuqizimin e bazës mekanike të riparimit të mjeteve hekurudhore, unike asokohe në vendin tonë. Por jo vetëm kaq. Puna, përkushtimi, profesionalizmi dhe mendimi i tij i përparuar dhe novator, u mishëruan në nxitjen, vendosjen, konsolidimin dhe zbatimin e mendimit të përparuar teknik e teknologjik. Fryt i këtij mendimi e niveli teknik janë, prodhimi i mekanizmave të ngarkim-shkarkimit (vinçave) 3-5 ton në stacionet hekurudhore, prodhimi i vagonit të parë të mallrave me dy akse, e më pas me katër akse i hapur dhe i mbyllur, prodhimi i mjaft pajisjeve të reja, si edhe përmirësimi teknologjik i riparimit të mjeteve hekurudhore. Ashtu i palodhur e me shpirt sakrifice, ditë dhe natë, ai do të kontribuonte, në rritjen e kapaciteteve tërheqëse të trenave të mallrave dhe të udhëtarëve, në shtimin e inventarit të vagonëve të mallrave vetëshkarkues, në gjetjen e formave të reja për transportin e mallrave me “trenat e specializuar”, në rritjen e shërbimit në transportin e udhëtarëve, ne gjetjen e zgjidhjeve për zgjerimin, shtrirjen dhe funksionimin e rrjetit hekurudhor shqiptar, në përgatitjen dhe kualifikimin e një gjenerate të tërë specialistësh. Ai do të ishte kudo edhe ku ishin avaritë, defektet. Me punën, shembullin, angazhimin, por edhe ndjenjën e pashoqe humane e të tolerancës, ai do të dinte të mobilizonte njerëzit. Ganiu dinte të dëgjonte, të udhëzonte, të sqaronte, të bënte mendimin e tij të përparuar pjesë të mendimit të njerëzve me të cilët punonte, ndaj edhe për të gjitha këto cilësi ai do të gëzonte gjithmonë respektin e tyre. Ai ishte kudo mes njerëzve e në ballë të punëve dhe vështirësive. Ai ishte mes njerëzve të punës, bashkëpunëtorëve edhe gjatë arritjeve, sukseseve duke i ndarë edhe gëzimet me ta. Me të drejtë kur flitet për Hekurudhat Shqiptare, në krye të listës së njerëzve që aq shumë kontribuan, do të gjesh gjithmonë emrin e ulqinakut Gani Gorana. Prandaj edhe nderimi për te në tërë karrierën e tij, me Urdhra Pune, Medalje e Fletë Nderi, deri tek Çmimi i Tretë i Republikës etj, janë dëshmia më e qartë e vlerave të këtij njeriu të thjeshtë, punëtor dhe të zot, pse jo edhe vlera mbi të gjitha, edhe të një biri Ulqinak, të lindur në Ulqin, për të cilin ai ishte jo vetëm krenar, por kishte edhe shumë mall, sidomos edhe tre vitet e fundit të jetës, gjatë emigrimit në Kanada pranë vajzave për të cilat ndjente dhe dhuronte dashuri të pamatë. Me punën dhe kontributet që dha, me qëndrimet qytetare dhe vlerat e spikatura morale, dashurinë për njerëzit dhe qytetin e Durrësit, për të cilin me dashuri të pashoqe aq shumë punoi, Ganiu tregoi vlerat e një qytetari të vërtetë e të denjë. Ndaj dhe Durrësi, për gjithçka që ai kontribuoi, do ta vendosë dhe rendisë ashtu siç i takon, përkrah njerëzve të shquar të tij, duke e nderuar me titullin e lartë, “NDERI I QYTETIT”..Ing. Gani Adem Gorana njëherësh do të jetë edhe një ndër simbolet e Krenarisë Ulqinake, me të cilin do të mburremi jo vetëm ne ulqinakët e Durrësit, por edhe qyteti i tij i lindjes, Ulqin. (Bulevardionline)