Zbulim: PIRAMIDAT SHQIPTARE DERI NË ULQIN

Piramidat shqiptareShumë pak janë ata që kanë dëgjuar për Tumat e Shëngjinit në Lezhë, të cilat arkeologët i kanë quajtur pa frikë si ‘Piramidat Shqiptare’.

Janë varret e lashta ilire të zbuluara nga gërmimet që janë bërë në malet e Shëngjinit, por që veç arkeologëve vetëm ndonjë turist aventurier ka mundur të depërtojë deri më tani.

Dedë Margjoni, përgjegjës dhe restaurator pranë Kalasë së Lezhës prej 30 vitesh, i quan tumat një mrekulli e trashëgimisë sonë historike dhe kulturore, lehtësisht të krahasueshme për nga vlerat arkeologjike me Piramidat e Egjiptit.

“Në malin e Shëngjinit janë Tumat Ilire. Për mua janë pjesa më e mrekullueshme e trashëgimisë sepse janë shumë-shumë të hershme, janë 3 apo 4 mijë vjeçare, dhe unë e lidh me fisin e hebrejve të cilin Hekateu (filozof historian grek), që në shekullin e 5-të para Krishtit e vendos në pozicionin sipër Matit e deri në Ulqin. Larg nga Kalaja e Lezhës, tumat fillojnë 3 kilometër në vijë ajrore, pastaj vazhdojnë deri në Velipojë, janë një mrekulli e vërtetë. Hyjnë në grupin e tumave Dalmatin, janë të veçanta në Shqipëri, tumat e malit të Shëngjinit, sepse janë të gjitha prej guri, nuk ka material tjetër, siç janë përdorur në vende të tjera. Sepse ka dhe tuma më të mëdha edhe në Jug por janë të përziera me dhe (tokë) e gur së bashku. Pra këto janë vetëm prej guri dhe duken si Piramida, sepse ka disa që shkojnë 8 deri në 9 metra të larta. Për nga forma ato kanë një formë konike, për mua ato janë piramidat tona, piramidat ilire, piramidat e Shqipërisë”, tregon për KosovaPress, Dedë Margjoni, përgjegjës për Kalanë e Lezhës.

Më tej ai tregon se janë shumë pak ata që i njohin Tumat, vetëm ndonjë turist aventurier ka mundur të depërtojë deri atje.

“Unë kam qenë me një grup arkeologësh, por është aq e pamundur të shkosh deri atje pasi nuk ka as rrugë këmbësorësh”, tregon për KosovaPress Margjoni, i cili evidenton si pengesën kryesore infrastrukturën.

Ai i bën apel shtetit që të kthej sytë nga këto asete që ruan Shqipëria, siç janë tumat, tepër të rralla në llojin e tyre, dhe që do të ndikonin pa dyshim në rritjen e numrit të turistëve.

“Vetë Ministrja ka ardhur këtu dhe ka treguar interes të madh, duke pyetur për gjithçka, edhe drejtoresha e trashëgimisë po ashtu. Te tumat mungon infrastruktura, dhe duhet një bashkërendim pasi nuk e bën dot as DRKK e Shkodrës as vetëm Ministria e Kulturës, një infrastrukturë të duhur që të vizitohen ato mrekulli të trashëgimisë. Ka pasur aventurierë të cilët kanë ecur nëpër pyje, xhungla, madje duke kapërcyer edhe rreziqet sepse aty ka zvarranikë helmues”, tregon më tej Margjoni.

Por krahas tumave, Kalaja e Lezhës është bërë aq e dashur për Dedë Margjonin, sa vetë shtëpia e tij. Ai kujdeset çdo ditë për të si të ishte një kopsht me trëndafila, njeh çdo pëllëmbë të sipërfaqes prej 2 hektarësh të Kalasë.

Madje kur shkuam atje për ta vizituar me shaka na tha: “Ecni pa frikë se nuk ka gjarpërinj këtu, unë ju kam thënë të mos vijnë, edhe një që erdhi më kërkoi falje që hyri pa lejen time. Unë e dua këtë Kala, unë bëj çtë mundem këtu; restauratorin, përgjegjësin, ciceronin madje edhe pastruesin në disa raste. Dua që ajo të ketë pamjen më të mirë për vizitorët,” thotë Deda, ndërsa shton se duhen investime, ka ca lëvizje për projekte restaurimi por shpreson të bëhen konkrete.

“Pjesa e banesave popullore dhe e objekteve kishtare është degraduar së tepërmi, sidomos banesat popullore, dy janë zhdukur fare nuk egzistojnë më fizikisht, por edhe objektet religjioze kishat që janë monument kulture në qarkun e Lezhës janë dëmtuar dhe degraduar në një masë të madhe. Nevojë urgjente në Kalanë e Lezhës është konservimi, i këtyre muraturave që kanë ngelur sepse këtu ka vite që nuk është vënë dorë. Reagimet kanë filluar, lëvizjet por pushteti vendor ka një pjesë të vogël të përgjegjësisë, pasi është Ministria e Kulturës ajo që ka përgjegjësinë kryesore. Sivjet ka premtime, madje kanë filluar edhe projekte sidomos për këtë pjesën e tabelave sinjalizuese, një kioskë për guida, fletëplasoje dhe informacionet duhura për turistët, por të presim”, tregon më tej ai.

Gjithashtu, Margjoni shtron si problem edhe mënyrën se si është investuar deri më tani, pasi janë disa gabime në dukje të vogla por që kushtojnë shumë. “Mungon logjistika, nuk ka tabela shpejguese, edhe ajo rrugë që është bërë, më kot pasi është vetëm një korsi, autobusët me turistë nuk ngjiten kurrë deri në maj të Kalasë,” thotë më tej Deda.

Madje ai shton se dhe Muzeu Historik i Lezhës ku ndodhet varri i Skënderbeut ka nevojë për investime, oborri jashtë këtij monumenti lë shumë për të dëshiruar. Ajo është lënë një hapësirë e mbushur me barishte, shkurre, insekte, pas asnjë tabelë që të uroj mirëseardhjen e turistëve. Janë pikërisht këto pengesa së bashku që po ulin numrin e vizitorëve në Lezhë; duke përfshirë edhe krizën ekonomike; por edhe mos përfshirjen e Kalasë së Lezhës në guidat turistike të shoqërive të ndryshme turistike.

“Tre janë ndër arsyet kryesore të rënies së numrit të turistëve; e para mendoj unë është kriza ekonomike; e dyta është infrastruktura, e cila pavarësisht se duket komode dhe e mirë, këtu autobusët nuk mund të ngjiten sepse rruga është e ngushtë. Ka nevojë edhe për tabela orientuese, sinjalistikë, por një arsye tjetër e rëndësishme është mos përfshirja e Kalasë së Lezhës si një ndër 5 Kalatë më të rëndësishme të Shqipërisë në guidat turistike të shoqërive të ndryshme turistike”, thotë Dedë Margjoni, ndërsa shton se që në hyrje të Lezhës duhet një tabele për turistët, si një formë mirëseardhje dhe prezantimi të Lezhës para vizitorëve. Lezha ka shumë për tu ofruar turistëve.

Krahas trashëgimisë së pasur kulturore është edhe bregdeti. Nga maja e Kalasë, të ofrohet një panoramë mbresëlënëse që të gozhdon pa lëvizur për orë të tëra. E ku më bukur se në këtë qytet të vogël verior ofrohet kaq shumë, histori dhe bregdet, që të ndërthurura së bashku janë një potencial i paçmuar i Shqipërisë turistike. (Koha.net)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi