Ministri për të drejtat e njeriut dhe pakicave në Qeverinë e Malit të Zi Mehmed Zenka ka thënë se gjatë mandatit të tij do të punojë që të gjithë qytetarët të realizojnë të drejtat dhe liritë e veta në mënyrë të njëjtë.
Sipas fjalëve të tija, pakicat në këtë vend ishin dhe mbeten përkrahje e madhe. “Qeveria është e vendosur në përpjekjen që përfaqësuesit e popujve pakicë dhe komuniteteve tjera të pakicave nacionale në Mal të Zi ndjehen pjesë integruese e shoqërisë. Rrjedhimisht, krijohen mundësitë që të drejtat e garantuara edhe të ju realizohen”, tha ai në intervistë për “Dan”.
Duke konstatuar që sipas të dhënave të kësaj ministrie përqindja e Shqiptarëve në institucione shtetërore është shumë më e ultë në krahasim me përfaqësimin e përgjithshëm në shoqëri, Zenka ka thënë se është qëndrim i Qeverisë që situata të ndryshohet në këtë pjesë, gjegjësisht që përfaqësimi i tyre të jetë në raport të drejtë me pjesëmarrjen e Shqiptarëve në popullatë të përgjithshme.