Në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë u prezantuan krijues të njohur shqiptarë nga Mali i Zi. Për monografinë “Varrezat në Anë të Malit – Ulqin”, të autorit mr. Ali Bardhi, foli Akademik Moikom Zeqo, i cili vuri në pah vlerat shkencore të studimit. Kjo vepër është e para e këtij lloji tek shqiptarët në Malin e Zi dhe është fryt i punës disavjeçare të autorit.
Ali Bardhi aktualisht Kryeimam në Ulqin, ka përfunduar Medresenë “Haxhi Sheh Shamia” në Shkodër, ndërsa në vitin 2006 diplomon në fakultetin e teologjisë në “Universitetin Marmara” të Stambollit. Në vitin 2009 ai ka magjistruar në Institutin e Shkencave Sociale dega Historia Islame – (periudha Osmane). Ali Bardhi ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore dhe takime në fushën e teologjisë dhe historisë. Është mësimdhënës në medresenë “Mehmet Fatih” në Tuz dhe bashkëpunon me revista dhe gazeta të ndryshme. Në një intervistë ekskluzive për Zërin e Turqisë z.Bardhi flet për librin e tij të fundit “Varrezat në Anë të Malit – Ulqin” për planet dhe publikimet në një të ardhme të afërt.
A.Bardhi: Pjesëmarrja ime në këtë aktivitet organizuar nga Akademia e Shkencave e Tiranës dhe Muzeu Historik Kombëtar, si dhe nga dy partnerët nga Mali i Zi “Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave” dhe “Bashkimi i Krijuesve shqiptarë”, unë gjeta rastin si njëri nga autorët e librave që u prezantuan siç ishin 9 vepra, isha edhe unë me librin tim të botuar ne vitin 2016-të me titullin “Varrezat në Anë te Malit – Ulqin”. Natyrisht që është privilegj dhe kënaqësi që punimi yt të gjendet në një ambient të tillë shkencor siç është Akademia e Shkencës e Tiranës dhe Muzeu Historik Kombëtar. Mbresat janë të shkëlqyera dhe ku për të gjithë krijuesit kanë folur akademikë dhe studiues të ndryshëm, ndërsa për sa i përket librit tim ka folur enciklopedisti i njohur profesor Moikom Zeqo. Të flasësh për librin është jashtëzakonisht një punë e madhe, por të flasë për të një ekspert i fushës siç është profesor Moikom Zeqo është shumë e rëndësishme dhe e dobishme dhe më nderon shume si autor i ri i librave të tilla.
Vepra përfshin mbi 600 mbishkrime arabe-osmane gurë varresh në zonën e Anës së Malit
V.Katana: Sa vite keni punuar në këtë vepër dhe cila periudhë përfshihet në të?
Bardhi: Sa i përket shkrimit të veprës “Varrezat në Anë të Malit” kam filluar që në vitin 2012 dhe e kam përfunduar të gjithë materialin në vitin 2015. Botimi është bërë në vitin 2016 me mbështetjen e Fondit për realizimin e të drejtave të pakicave dhe Qendrën për mirëkuptim ndërkulturor “Horizonti”, e që është botuar nga Art Klubi. Pra gjithsej në 25 fshatra të kësaj treve është punuar në grupe punuese për rreth tre vjet, ku janë përfshirë rreth 600 varre me mbishkrime arabe-osmane.
Studimi do të kompletohet edhe me hulumtimet që po bëhen në zonën urbane të Komunës së Ulqinit
Katana: Ju edhe më tej vazhdoni të punoni në këtë drejtim, do të botoni një libër të ri në këtë teme apo të plotësoni me fakte të tjera ribotimin e librit ekzistues.
Bardhi: Kurrë nuk mendoj se mund të shteret një punim. Vazhdimisht dalin element të rinj qoftë për trevën e Anës së Malit, e cila në një të ardhme të afërt edhe mund të bëhet ndonjë ribotim. Unë momentalisht jam duke punuar në një projekt të ri që i përket po kësaj fushe në pjesën urbane të qytetit të Ulqinit dhe rrethinë që përfshin disa fshatra rreth qytetit.
V.Katana: Mbishkrimet e gurë-varreve ka zgjuar gjithmonë interesin e studiuesve. Cila është e veçanta që ju keni hasur në punën tuaj sa i përket varrezave në Anë te Malit?
Bardhi: Varrezat janë një studim i veçantë për vetë faktin se varret bartin një trashëgimi kulturore, fetare, gjuhësore, artistike pra të gjitha ato çfarë përmban një gur varri. Studimi im është fokusuar në gur-varret me mbishkrime arabe–osmane, në të cilat ne kemi gjetur shumë elementë që janë me rëndësi për studiuesit e tjerë në të ardhmen, por ne kemi dëshmuar dhe kemi faktuar me anë të fotografime deshifrimin e tyre dhe paraqitjen në gjuhën shqipe të gjithë këtyre 600 varreve. E veçantë është simbolika që është përdorur në këto gur-varre, siç është shkrimi, lutjet që janë përdorur aty, pra të gjitha këto janë me rëndësi pasi një gur varri qëllimin kryesor të tij ka ruajtjen e identitetit. Kjo është shumë e rëndësishme për ne, pasi dihet që gjatë asaj periudhe shekujt 18-19-të kemi mungesë të regjistrimit të popullsisë dhe emrave të tyre, kështu që është një gjë e mirë që në 600 gur-varre të shprehet identiteti i kësaj treve.
Katana: Me të njëjtën gjë keni vazhduar edhe me hulumtimet e gur varreve me mbishkrime Osmane edhe në Ulqin. Çfarë mund të na thonë për këtë?
Bardhi: Sa i përket fazës së parë të këtij projekti i cili mbështetet nga Fondi i pakicave në Malin e Zi, deri tani kemi përfunduar fazën e parë e mbledhjeve të gur varreve në pjesën urbane të qytetit të Ulqinit dhe rrethinës së qytetit. Deri tani janë mbledhur rreth 450-500 gur varre dhe tani në fazën e dytë do të filloj klasifikimi ose transkriptimi i tyre, paraqitja në gjuhën shqipe dhe në fazën e tretë do të bëhet përgatitja e tyre për botim e më pas do të gjej edhe dritën e botimit edhe ky punim.
V.Katana: Vepra juaj sipas kritikës paraqet interes si në aspektin gjuhësor, kulturor pse jo edhe atë kombëtar. Ju çfarë mendimi keni?
A.Bardhi: Nëse flasim për shkrim ai është i vjetër dhe në një farë mënyre idetë janë shprehur qoftë me ideo grame, hieroglifë apo mënyra të ndryshme, ndërsa ideja e shkrimit me tingull fillon siç e paraqet dhe historia në periudhën e fenikasve dhe nga kjo periudhë qoftë ajo Helene, Romake, Bizantine, Arabe apo Hebraike, të gjithë kanë marrë këtë model shkrimi ndryshe nga modelet e tjera, të cilat lexojnë tingujt. Kështu që duke filluar nga perandoritë e para, nga Perandoria Romake, ajo Bizantine, të cilat kanë pas shkrimet e tyre, apo edhe Perandoria Osmane që ka pasur shkrimin e vet me shkronja arabe. Pra të gjitha këto perandori kanë përdorur standardet e tyre. Kjo ka rëndësi sepse një ide ose një dëshmi regjistrohet. Regjistrimet që kam bërë unë në gur-varre janë me mbishkrime osmane–arabe. Ne si pjesëtarë të brendshëm, apo siç ishim sundimtarë apo bashkë-sundimtarë me popujt e tjerë të Perandorisë Osmane kemi përdorur alfabetin arab, pra pjesa islame, dhe pjesa tjetër e popullsisë ata ortodoks ose katolikët kanë përdorur alfabetin cirilik ose atë latin. Të gjitha këto alfabete janë pjesë e qytetërimit që i përkasin këtij populli. Në anën tjetër shkrimi i këtyre gurëve është një dëshmi e madhe sepse edhe pse me shkronja arabe–osmane, mënyra e shkrimit është e saktë dhe siç i themi, ne jemi i vetmi popull që emrin tonë e shkruan drejtë në gur varr. Edhe pse me shkronja arabe–osmane, emri i banorëve tanë është shkruar ashtu siç përdoret the thuhet sot e kësaj dite. Regjistrimi i këtyre emrave ka një rëndësi të madhe edhe në trevën e Anës së Malit. Studimi ynë ka prekur vetëm ato pjesë që kanë qenë mbi sipërfaqen e tokës dhe ne nuk jemi marrë me gërmime dhe hulumtime më të thella nën sipërfaqen e tokës.
Katana: Z. Bardhi s’ka dyshim se në punën tuaj ju ka ndihmuar dhe njohja e gjuhëve veçmas asaj arabe, turke etj. Përveç këtyre gjuhëve mbishkrimet në varre në cilat gjuhë tjera janë të shkruara?
Bardhi: Gjatë studimit tim në trevën e Anës së Malit ne kemi ndeshur vetëm në shkrime arabe–osmane, pasi ky ka qenë dhe subjekti i punës. Natyrisht ne jemi munduar që të shohim edhe ndonjë tjetër që i përket ndonjë gjuhe apo shkrimi tjetër. Deri në shekullin 18-të ne kemi mungesa edhe për varre myslimane sa i përket mbishkrimeve. Kjo mund të jetë për arsye të ndryshme që kërkon një hulumtim më të veçantë sepse mund të jenë zhdukur nën sipërfaqen e tokës, por nga ana tjetër brenda Perandorisë Osmane qoftë në Kryeqytetin e Perandorisë në Stamboll ekzistojnë varrezat e të gjitha konfesioneve fetare qoftë ato armene, çifute varre greke apo bizantine, varre ortodokse të cilat sot e kësaj dite ruhen në Stamboll. Dua të shtoj se vetëm në Stamboll nga 320 varreza të regjistruara 65 prej tyre u përkasin jo-myslimanëve, e kjo dëshmon që Stambolli i ruan varrezat e konfesioneve të tjera.
Katana: Z. Bardhi ju vazhdoni të merreni me studime në shumë fusha . Çfarë mund të presim në një të ardhme të afërt?
Bardhi: Për momentin jam duke bërë përgatitjen e librit e gur-varreve me mbishkrime arabe–osmane në pjesën urbane të Ulqinit dhe rrethinave. Ndërkohë vazhdimisht mundohem të punoj në çështjen e arsimit ,sidomos në periudhën osmane, pasi që edhe tema e magjistraturës sime ka qenë “Arsimi në vilajetin e Shkodrës” në vitin 1870-1877, gjithnjë duke iu referuar një ditari të Daut Boriçit, i cili ka jetuar në Shkodër. Fjala është për një punim prej 370 faqesh, por që është në gjuhën turke dhe nuk është përkthyer. Në një të ardhme të afërt mund të bëhet ndonjë përkthim ose studim që përfshin trevat tona që dikur ishin në përbërjen e këtij Vilajeti pra si Ulqini, Tivari, Podgorica, Tuzi etj.
(Përgatiti për Zërin e Turqisë, Vera Alibegu KATANA)