Pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës ishte nga më të lartat ndonjëherë në vendin tonë në këto vite të tranzicionit. Zgjedhjet në përgjithësi ishin dëshmi e pjekurisë politike të shqiptarëve, e kulturës së lartë demokratike dhe e vetëdijes së tyre se ata mund ta ndryshojnë politikën me anë të votës kur ajo duhet ndryshuar. Një vrasje në Laç ditën e votimit ishte ngjarja më e trishtuar e ditës së zgjedhjeve, ndërsa disa incidente të vogla të karakterit organizativ e teknik nuk e dëmtuan situatën përgjithësisht normale të tyre.
Numërimi i llojit “shqiptar” të votave kërkon kohën dhe përkushtimin njerëzor të nevojshëm, por shenjat e deritanishme tregojnë se ai po zhvillohet dhe do të përfundojë në kushte normale. Rezultatet paraprake të zgjedhjeve, kur janë numëruar më shumë se gjysma e fletëve të votimit, janë disi të papritura jo vetëm për humbësit, por edhe për fituesit. Shifrat flasin për një fitore prej më shumë se 80 mandatesh për koalicionin e majtë, të udhëhequr nga Partia Socialiste. Fitorja e së majtës ka përmasa plebishitare, me shtrirje nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim, duke u dhënë fund edhe frikës për ndarje Veri – Jug për shkaqe politike. Edhe bastione shumëvjeçare elektorale të PD-së u shembën dhe tani ato dominohen nga e majta.
Fitorja e opozitës në Shkodër, Durrës, Dibër, Lezhë, Kavajë etj., tregon qartë se nuk ka më domene politike të përjetshme prej partive. Fitorja në të gjitha qytetet e mëdha të vendit është tjetër tipar i zgjedhjeve. Nga 12 qarqe të vendit, vetëm njëri prej tyre, ai i Kukësit, është fituar nga koalicioni qeveritar. Rezultati i votimeve është i tillë që nuk lë vend për ekuivoke të partive humbëse lidhur me njohjen e tij. Një rezultat i ngushtë midis dy koalicioneve do ta linte vendin në situatën e debateve dhe të konflikteve permanente tradicionale, për manipulime të pretenduara prej palëve, duke u përpjekur kështu të kacavirreshin me dëshpërim pas shifrave. Tani nuk është më kjo frikë, dhe kjo është një fitore tjetër e këtyre zgjedhjeve. Shqiptarët votuan për t’i dhënë fund një tranzicioni të vështirë e të stërzgjatur, duke i hapur rrugë fillimit të një kohe të re për ta.
Ata ndëshkuan me votë masive politikat e gabuara, amatoriale dhe rrënuese të qeverisë së deritanishme në zhvillimin e vendit dhe integrimin e tij në BE. Verdikti i 23 qershorit i ka brenda tij të gjitha mesazhet e elektoratit shqiptar, si ato të ndëshkimin për qeverisjen e shkuar, ashtu edhe shpresën për qeverisjen e re. Votuesit u thanë me votë të lirë “mjaft më” tensioneve të panevojshme, politikave të konfrontimit të brendshëm midis forcave politike, kontrollit politik të institucioneve të pavarura kushtetuese, korrupsionit galopant të njerëzve të veshur me pushtet dhe mungesës së ideve të reja produktive për ta shtyrë shoqërinë shqiptare përpara, drejt një jete dhe të ardhmeje më të mirë. Fituesi më i madh i këtyre zgjedhjeve është populli shqiptar, pavarësisht nga partitë politike që votoi ai më 23 qershor. Ai fitoi dinjitetin e të shprehurit me votë të lirë dhe të leximit të saktë të votës së tij për të ardhmen, elemente këto që i ishin mohuar në shumë drejtime në zgjedhjet e zhvilluara gjatë më shumë se 20 viteve.
Kjo ishte një votë proteste ndaj politikave të dështuara ekonomike të qeverisjes së deritanishme. Vendi është në krizë të thellë ekonomike dhe borxhet e jashtme dhe të brendshme janë bërë shqetësim kryesor. Përpjekjet për të dalë nga situata me anë të privatizimit të pasurive kombëtare si hidrocentralet etj., janë kuptuar si përpjekjet e një të mbyturi për t’u kapur pas fijes së kashtës. Burimet financiare dhe natyrore të vendit janë shpërdoruar barbarisht për interesa të individëve dhe klaneve të afërta me pushtetin, deri edhe në këtë fushatë elektorale. Të gjitha këto janë bërë të perceptueshme qartë prej shqiptarëve që hodhën votat në kutitë e votimit. Humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve është Kryeministri i deritanishëm Sali Berisha. Ai personalizoi çdo gjë në politikën shqiptare gjatë këtyre tetë viteve të fundit, prandaj edhe humbja është një “vepër” personale e tij. Ai bëri një listë kandidatësh për deputetë të partisë së tij shumë të debatueshme nga opinioni. Ai udhëhoqi i vetëm fushatën e zgjedhjeve dhe mori përsipër të gjitha “sukseset” e pretenduara të tij. Prandaj tani i duhet të marrë mbi vete edhe të gjitha përgjegjësitë e humbjes.
Për shumë shqiptarë zoti Berisha u bë personifikim i së vjetrës dhe i pengimit të zhvillimit. Ai mbijetoi në qeveri në sajë të përçarjes të së majtës. Që nga zgjedhjet e vitit 2005 e deri më sot, ai ka qenë në pushtet pa pasur votën elektorale të shumicës së shqiptarëve, por vetëm të kombinacioneve të panatyrshme të numrave në Parlament. Në vend që ta shfrytëzonte këtë situatë për mirëqeverisje, ai bëri të kundërtën. Me rezultatet e këtyre zgjedhjeve duket se ka marrë fund mbijetesa dhe miti i tij në politikë. Ai mund të vazhdojë të qëndrojë tani në krye të partisë së tij, siç ka deklaruar, por vetëm në formën e një fosili politik, i cili do të dëmtojë vetëm forcën e tij politike. Shqiptarët treguan se janë një popull i ri në moshë, në mendësi, në prirje kulturore e politike, në interesa e ideale bashkëkohore.
Përdorimi i Facebook- ut nuk mund ta ndihmojë më Berishën për ta paraqitur veten si model i së ardhmes. Opozita e shfrytëzoi këtë dobësi të mbijetesës së gjatë e të sforcuar të tij në politikë duke e identifikuar në fushatë me nofkën e “gjyshit me antiplumb”, dhe kjo ka pasur efektin e saj në elektorat. Opozita e re, e sapodalë nga këto zgjedhje, ka rastin tani të futet edhe ajo në procesin e reformimit e të rilindjes së saj politike, të reflektimit real ndaj humbjes, të nxjerrjes së përgjegjësive për të, me qëllim fillimin e një kohe të re, me një lidership të ri. Kjo do të ndodhë nëse zoti Berisha bën më në fund gjënë e vetme të duhur që i ka mbetur: të largohet për t’i hapur rrugën reformimit real të partisë së drejtuar prej kaq vitesh prej tij. Rezultati i këtyre zgjedhjeve ishte një fitore e së majtës së bashkuar shqiptare. Ky bashkim ka munguar që nga viti 2005, kur LSI doli si parti më vete. Bashkimi i tanishëm tregoi se ai jep fryte në zgjedhje dhe në përgjithësi në politikë.
Fitorja e së majtës është madhështore, por po ashtu e jashtëzakonshme është edhe përgjegjësia e saj për të justifikuar tani këtë besim të popullit për ndryshim real. Vendi ndodhet në situatën e një krize të thellë ekonomike dhe qeverisë së re i duhet të bëjë sforcime të mëdha për të mbijetuar në momentet e para të ushtrimit të funksioneve të saj. Vendit i duhet vendosja e rendit dhe e qetësisë publike, të terrorizuar nga krimi ordiner dhe i organizuar. Ai ka nevojë, mbi të gjitha, për ringjalljen e shpresave për të ardhmen. Fitorja e madhe nuk lejon asnjë lloj mendjemadhësie e arrogance nga ana e fituesve në qeverisjen e re. Problemet e vendit janë të mëdha dhe kërkojnë përkushtim e përulësi nga ana e atyre që do të marrin në duar qeverisjen. Ca më pak ka vend për orekse të pajustifikuara për poste qeveritare. Fitorja e madhe mund të kthehet shpejt në bumerang, që do të paguhej pastaj shtrenjtë në zgjedhjet e ardhshme.
Zgjedhjet ishin një provë e qartë e popullit të një vendi anëtar të NATO-s dhe një mesazh domethënës për komunitetin ndërkombëtar, që pret nga Shqipëria dhe shqiptarët të bëhen pjesë dinjitoze e tyre. Të huajt nuk mund të na shohin më tani si dele e zezë, që nuk jemi të aftë të zhvillojnë vetë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ata nuk mund të na vënë më kushte pas kushtesh për integrimin. Maxhoranca e re parlamentare e krijuar nga këto zgjedhje i ka të gjitha mundësitë për të ndërmarrë në kohë dhe pa vonesë reformat e nevojshme për të kapur kohën e humbur në fushën e integrimit europian. Askush nuk mund ta pengojë më në këtë drejtim, prandaj askush nuk mund ta justifikojë më vonesën në këtë fushë.
(Hamdi Jupe, Gazeta Panorama)