Zhvillimi i qëndrueshëm në Planin Strategjik të Zhvillimit të Komunës: NGA 87 PROJEKTE, 38 I PËRKASIN TURIZMIT

Administrata lokale në Ulqin ka miratuar në vitin 2022 Planin Strategjik të Zhvillimit (PSZH) të Komunës së Ulqinit për periudhën deri në vitin 2028. Në atë dokument, që së bashku me Planin Hapësinor dhe Urbanistik është dokumenti më i rëndësishëm i vetëqeverisjes lokale, përmenden gjithsej 87 projekte, nga të cilat 38 kanë të bëjnë me turizmin.

Kjo është logjike, sepse tri të katërtat e të ardhurave në Ulqin realizohen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga ky sektor ekonomik.

Infrastruktura është identifikuar si problemi kryesor për përmirësimin e cilësisë së ofertës turistike dhe për mundësinë që Ulqini të bëhet një destinacion gjatë gjithë vitit.

“Ky plan strategjik është përgjigje ndaj sfidave aktuale dhe kohës dinamike në të cilën jetojmë. Një kohë që karakterizohet nga një nivel i lartë i pasigurisë kur bëhet fjalë për drejtimet e zhvillimit ekonomik, por edhe për zhvillimet e tjera shoqërore. Është një dokument kryesor, i orientuar kah vendosja e një baraspeshe midis potencialeve të zhvillimit dhe mundësive të realizimit në të gjitha fushat,” thuhet në PSZH.

Objektivi strategjik i përgjithshëm i zhvillimit të Komunës së Ulqinit për periudhën 2022-2028 është përcaktuar si: “Zhvillim ekonomik i qëndrueshëm i bazuar në zhvillimin dinamik të turizmit, bujqësisë, infrastrukturës duke ruajtur mjedisin dhe vlerësimin e potencialeve natyrore dhe kulturore të Ulqinit, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të Ulqinit.”

Në funksion të arritjes së objektivit strategjik të përgjithshëm janë përcaktuar katër objektiva strategjike specifike dhe ato janë:

  • Zhvillimi dhe përmirësimi i turizmit
  • Zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomisë lokale
  • Mbrojtja dhe ruajtja e mjedisit
  • Përmirësimi i shërbimeve për qytetarët dhe ekonominë.

Objektivat specifike, së bashku me qëllimin strategjik të përgjithshëm, kanë dhënë udhëzime të qarta për zhvillimin e ardhshëm të Komunës së Ulqinit. Bazuar në ato objektiva specifike, PSZH ka identifikuar edhe 10 prioritete që synojnë ato qëllime strategjike specifike.

Në çdo rast, ka shumë projekte në PSZH, por pak inovacione. “Inovacioni është aftësia për të parë ndryshimin si një mundësi, dhe jo si një kërcënim,” ka thënë një herë Steve Jobs. Ose do të bëhemi inovativë, ose Ulqini si një vend i zhvillimit të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm do të mbetet prapa.

Ky tekst u krijua në kuadër të projektit të promovimit të mbrojtjes së mjedisit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit në Komunën e Ulqinit, i cili financohet nga Ministria e Kulturës dhe Mediave, nga Fondi për Stimulimin e Pluralizmit dhe Diversitetit të Mediave. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e OJQ “Ul info” dhe nuk përfaqëson medoemos pikëpamjet apo qëndrimin e Ministrisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi