Përfaqësuesit e Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit në Ulqin, me 25 zjarrfikës dhe tre kamionë, me ndihmën e cisternave të Ndërmarrjeve Komunale dhe tre aeroplanë të Drejtorisë për Situata Emergjente të Ministrisë së Punëve të Brendshme, arritën ta vendosin nën kontroll zjarrin i cili të dielën shpërtheu në fshatin Kllezna Poshtë.
“Zjarri shpërtheu në pyll dhe rrezikoi të përfshijë kompleksin më të madh pyjor. Zjarrfikësit e Ulqinit mbajtën kujdestarinë edhe gjatë natës”, njoftohet nga Drejtoria.
Nga ky institucion apeluan tek qytetarët të respektojnë rekomandimet e organeve dhe shërbimeve kompetente dhe mos të ndezin zjarr në hapësirat e hapura, ndërsa të gjithë përfaqësuesit e sistemit të mbrojtjes dhe shpëtimit do të jenë të gatshëm që, në pajtim me kapacitet e disponueshme, të reagojnë ndaj këtyre zjarreve.