Ismet KARAMANAGA: Gjylije Sadiku-Muharremi (portret)

GjylaPak ka pasur femra në Ulqin, të cilat kanë ditur “me ba dyzen”, të këndojnë, t’i bien dajres, të vallëzojnë, të kërcejnë, ashtu siç ka ditur Gjyla… Në shumë emisione kushtuar muzikës popullore, Jenuzi shpesh e ka shoqëruar me fizarmonikë nënën e tij. Ky duet i rrallë tek ne ka mbetur i shënuar si një mjeshtri artistike, në veçanti këngët e vjetra të dasmave të cilat ka mundur t’i interpretojë vetëm Gjyla dhe ato pa dyshim janë pjesë e historisë dhe e trashëgimisë sonë.

Me sjelljen dhe aktivitetet e saj me dekada – në jetë, punë dhe kulturë, e ka filluar emancipimin e femrës ulqinake shumë më herët se në kohët e sotme të lëvizjeve feministe për emancipimin e femrës.

Gjyla, siç e quajnë të gjithë ata që e njohin, është një “zonjë e rëndë”, siç themi në Ulqin për femrat që janë të veçanta. Gylije Muharremi është pa dyshim e veçantë, një figurë interesante nga Rana e Ulqinit. Them se është e rrallë, një femër me famë, e cila me sjelljen dhe aktivitetet e saj me dekada, në jetë, punë dhe kulturë, e ka filluar emancipimin e femrës ulqinake shumë më herët se në kohët e sotme të lëvizjeve feministe për emancipimin e femrës.
Duhet të mos harrohet se bëhet fjalë për vitet ‘70 të shekullit të kaluar. Në ato kohë ka qenë ndryshe, nuk ka pasur “frizerka, sekretaresha, doktoresha“, por të gjithë emrat e profesioneve, pavarësisht nëse kanë punuar femrat apo jo, kanë njohur vetëm një gjini – gjininë mashkullore, kurse sot është normale që t’i quani profesionet ku janë të pranishme femrat në gjininë femrore. Ndërsa sot në kohën moderne, femra dhe lëvizjet feministe e kanë shumë më lehtë të avancojnë.
Gjyla, ende sot, pavarësisht se është e moshuar, është aktive, shpesh jep intervista për mediat elektronike dhe të shkruara lokale, të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi. Natyrisht, mosha e bën të veten, por Gjyla nuk dorëzohet.
Nëse kaloni rrugës pranë shtëpisë së saj në Ranë, e cila gjendet veç pak metra larg nga Plazhi i Vogël, tek shkumba e detit, mund ta shihni në tarracën pranë shtëpisë duke biseduar ose duke kënduar me zë të ulët. Asgjë nuk i kalon pa parë, pa e përcjellur.
Pak ka pasur femra në Ulqin, të cilat kanë ditur me ba “dyzen”, të këndojnë, t’i bien dajres, të vallëzojnë, të kërcejnë, ashtu siç ka ditur Gjyla. Bile ajo është femra e parë e cila ka vallëzuar valcer me Rifatin, bashkëshortin e saj, në tarracën e hotelit “Jadran”. Vështirë ta imagjinosh në ato kohë të fillimit të turizmit tonë, një femër myslimane ulqinake duke luajtur valcer në mesin e mysafirëve të huaj nga perëndimi. Kështu ka qenë Gjyla. Prandaj edhe them se ajo është dhe ka mbetur e veçantë, e papërsëritshme.
Ka lindur në Ranë, në familjen e njohur dhe me pedigre të Riza Sadikut. I ndjeri Riza Sadiku, babai i saj, ka pasur fat që ka martuar një zonjë nga familja Abazi, në popull të quajtur Hamoj, me prejardhje nga Kruja. Kjo familje ka pasur në radhët e saj berberë, mjekë popullorë dhe shumë të tjerë që e kanë shënuar kohën e vet. Mirëpo Hamojtë kanë qenë më “të fortë “ në muzikë dhe argëtim. Posaçërisht janë marrë me muzikë popullore burimore, kurse shumë prej tyre kanë qenë moderatorët e parë dhe të pazëvendësueshëm në dasma ulqinake dhe më gjerë. Këngëtarët dhe ahengxhinjtë e kohës ishin në mesin e shekullit të kaluar dhe më parë: Osoja, Maliqi, Jenuzi dhe Hakushi. Ekzistonte edhe “thënia”: ”Venja veshin masllahatit, si ka thënë Maliqi i Dautit”. Kjo thënie dëgjohet edhe sot.
Më vonë këtë traditë e kanë vazhduar edhe të tjerët nga kjo familje, në veçanti Rexhepi, i cili ka mbetur sinonim si valltar i folklorit dhe i muzikës popullore burimore tek ne.
Nga kjo familje e ka trashëguar Gjyla gjenin “e fortë”, i cili vazhdon të përcillet tek i biri i saj Jenuzi. Prandaj, nuk është për t’u çuditur që edhe Gjyla këto veti i ka të trashëguara nga ky fis i njohur nga Ulqini, nga nëna e saj. Nga kjo famile e njohur ulqinake ende jeton daja i saj, Sabro Abazi, i cili ndonëse në moshën 94-vjeçare, ende del tek “duganja“ e të birit të tij, i përcjellë njerëzit, kalimtarët, turistët dhe asgjë nuk i kalon. Shpesh ndalem dhe ia kujtoj disa ngjarje, e përshëndes dhe bisedoj pak me të. Më lavdëron, më thotë se jam dhëndri më i mirë i Hamojve: “Na ke qitë në libra”, e përsërit.
Kështu edhe Gjyla e ka pasur muzikën dhe argëtimin në gjene dhe në gjak qysh nga fëmijëria.
Ky talent më vonë ka ardhur deri tek ekspozimi edhe me martesën e saj me z. Rifat Muharremi. Në atë kohë ky ishte një kombinim i rrallë pasi që Rifati, për ata që më pak e njohin, në kohët e fillimeve të turizmit tonë ndër të parët në Ulqin ka luajtur “Rock and Roll“ dhe “Twist” në tarracat e njohura të hoteleve tonë.
Ai ka qenë dhe është një ndër valltarët e parë nga Ulqini, i cili në vitin 1957 ka kryer shkollën e vallëzimit në Zagreb të Kroacisë. Këto gjëra është e nevojshme të shkruhen dhe të shënohen pasi që ato janë pjesë e trashëgimisë së jetës dhe kulturës sonë.
Ky kombinim është reflektuar më vonë tek i biri i tyre Jenuzi, i cili vazhdon traditën e prindërve duke bërë muzikë në dasma dhe duke marrë pjesë në shfaqje folkloristike anembanë botës. Muzikën, këngën, këndimin dhe mjeshtërinë në muzikë me fisharmonikë, të cilën ai e ushtron deri në perfeksionizëm, e ka në gjak dhe në gjen të trashëguar.
Në shumë paraqitje televizive, në emisione kushtuar muzikës popullore, Jenuzi shpesh e ka shoqëruar me fizarmonikë nënën e tij. Ky duet i rrallë tek ne ka mbetur i shënuar si një mjeshtri artistike, në veçanti këngët e vjetra të dasmave të cilat ka mundur t’i interpretojë vetëm Gjyla dhe ato pa dyshim janë pjesë e historisë dhe e trashëgimisë sonë. Bile nga nëna e tij, ai ka një memorie të hatashme me mbi 1000 këngë popullore në trurin e tij.
Sa ka mundur të dijë Gjylije Sadiku, është vështirë të imagjinohet. Them se Gjyla është një enciklopedi e gjallë, një thesar i pashtershëm. Një kompjuter i gjallë që në secilin moment iu përgjigjet në pyetje, iu tregon nga e kaluara jonë e lavdishme, iu përkujton për gjërat të cilat kanë nevojë të nxirren nga errësira në dritën e historisë së qytetit tonë.
Është mirë që ende kemi personalitete siç është Gjyla, prandaj edhe duhet të bisedojmë me ta, t’i shënojmë gjërat nga jeta dhe kultura jonë, në veçanti me këta persona derisa janë në mesin tonë.
Gjyla ka lindur në vitin 1937 dhe si vajzë e re ka filluar nga dajat e saj ta mësojë edhe zanatin e parukieres. Këtë zanat e ka ushtruar më vonë në Ranë, në sallonin e saj pranë shtëpisë së tyre. Vëllai i saj, i ndjeri Basro Sadiku, këtë zanat gjithashtu e ka mësuar dhe ushtruar më parë në Sarajevë. Pas kthimit nga Sarajeva në Ulqin, ai hap sallonin e parë në Ulqin për zbukurimin e nuseve të reja. Kështu, ai nga Sarajeva sjell dy zonja të cilat punojnë aty. Në sallon punësohet edhe Gjylija, fillon të mësojë dhe pas një kohe jep provimin në Titograd (sot Podgoricë), dhe bëhet femra e parë në Ulqin e kualifikuar në këtë zanat.
Në bisedë me të, më tregon se për çdo ditë ka pasur femra dhe nuse të reja, të cilave ajo ua ka rregulluar flokët dhe frizurat. Për çdo javë në sallonin e saj ka pasur ndërmjet 15-20 femra dhe nuse, të cilat kanë kërkur duart dhe mjeshtërinë e saj për t’u zbukuruar.
Gjyla këtë zanat e ka ushtruar deri në perfeksionizëm.
“Të gjitha myshteritë i kam shërbyer mirë dhe flokët gjithmonë ua kam bërë sipas dëshirës së tyre”, i kujtohet Gjylës puna në sallonin e bukurisë në Ranë.
Edhe mua më kujtohet salloni pranë shtëpisë së Sadikëve në Ranë, në shtëpinë e tyre. Natyrisht, tregon Gjyla: “Shumë të reja kanë respektuar edhe mendimin dhe këshillat e mia”.
Në sallon ka punuar edhe motra e saj më e vogël, Servetja, e cila sot jeton në Tivar.
“Pastaj, në sallonin tim gjithmonë janë takuar shpesh edhe ata që më pak janë njohur ndërmjet vetes”, thekson ajo.
“Salloni im ka qenë i kërkuar edhe nga rrethina. Kam pasur myshterinj edhe nga Tivari”, kujton Gjyla.
Salloni ka qenë aktiv deri në fillim të turizmit masiv.
“Më vonë i jemi kthyer të gjithë turizmit”, tregon Gjyla dhe vazhdon: “Më në fund, edhe kam filluar me u plakë dhe e kam lënë punën”.
Sa për kujtesë të opinionit, Gjylije Muharremi i ka bërë frizurën edhe Nexhmije Pagarushës, “Bilbilit të Kosovës”, kur ajo ka kënduar në Ulqin, kurse suksesin më të madh e ka pasur kur e kanë thirrur që t’ia bëjë frizurën Jovankës, bashkëshortes së Titos, në vizitën e tij të fundit në Ulqin, më 1953, në hotelin “Galeb”. Një medalje me fizionominë e Titos ishte një dhuratë që e mban dhe e tregon edhe sot me plot dashuri Gjyla.
“Mirëpo muzikën, folklorin, këngën, argëtimin, bejtet, nuk do t’i la kurrë”, thotë Gjyla me nostalgji. “Kam ditur, por edhe kam qitur vetë shumë bejte, të cilat gjithmonë e kanë pasur ‘thumbin’ me vete, për ata të cilët e kanë merituar”, qeshet Gjyla.
Ende edhe sot në trurin e saj ka mijëra këngë, fjalë të urta, bejte.
Ajo është një femër e cila ka humor të pashtershëm edhe në këtë moshë. Gjithmonë e qeshur, e mirë, një femër markante.
Shumë emisione në TV “Teuta” dhe artikuj në revista të ndryshme dëshmojnë për aktivitetin e kësaj zonje nga Rana jonë. Edhe unë këtë shkrim modest, i cili do të jetë pjesë e librit tim të ri, ia kushtoj zonjës Gjylije Sadiku – Muharremi. Jam më se i bindur se ajo meriton shumë më tepër.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…