M.Zeqo: KONICA PËR SERVANTESIN SHKRUANTE QË NË VITIN 1900

Moikom Zeqo

Viti 2016, si viti i 400-vjetorit të vdekjes së Miguel Servantesit na tendos vëmendjen në pikën inkandeshente të emrit të Servantesit, të lidhur me shqiptarët. Në këtë 400-vjetor Shqipëria duhet të bënte një program reflektimi dhe nderimi për Servantesin në sintoni me Spanjën dhe Europën.

A nuk është kjo një modus vivendi të integrimit europian? A nuk qe rasti që Ministria e Kulturës të bënte diçka për Servantesin, Fan Nolin dhe Petro Zhejin, të ribotohej kryevepra e Servantesit etj.?
Te revista “Albania”, nr.6 e vitit 1900, Faik Konica ka një shkrim të parin e këtij lloji,- pikërisht për Miguel Servantesin.
Konica e formulon titullin si: “Servantesi, albanologu më i vjetër”. Dhe ja ç’thuhet:
“‘Albania’ botoi përkthimin në shqip të një tregimi të Servantesit, ‘Forca e gjakut’. Meqë ra fjala, është mirë të marrim shënim një fakt shumë pak të njohur. Migel Servantes e ka ditur shqipen më parë se kalorësi flamand Arnolt van Harff, të cilit ne i kemi botuar vitin e kaluar fjalorin e tij të vogël shqip-holandisht të vitit 1590 (shiko Albania B 15). Autori i Don Kishotit, që kishte marrë pjesë në betejën e Lepantes, ishte zënë rob nga ushtria turke dhe, si skllav, i ra në pjesë piratit shqiptar Mema. Kjo robëri, që zgjati pesë vite, i lejoi Servantesit të mësonte gjuhën shqipe dhe nëse shkrimtari nuk e përmend në librat e tij, shpesh ai e hedh fjalën për shqiptarët, veçanërisht në tregimin me titull ‘Spanjollja angleze’”.
Pse Faik Konica e mbiquan Servantesin “Albanologu më i vjetër”?
Në fakt, Faik Konica e ka bërë këtë formulim në mënyrë pompoze. Nuk bëhet fjalë që Servantesi ka shkruar një studim albanologjik.
Por, Faik Konica është i bindur se Servantesi duke jetuar mes një grupi shqiptarësh, qofshin këta edhe piratë, e ka mësuar gjuhën shqipe dhe pra, e ka ditur gjuhën shqipe. Por, kjo është një hamendje e guximshme dhe befasuese.
Por, mbiquajtja si “albanolog” është e tepruar. Por, Faik Konica padyshim që di diçka. Diçka që e lidh Servantesin me gjuhën shqipe. Faik Konica është i pari shqiptar që e përmend Servantesin në vitin 1900, vitin e fillimit të shekullit XX.
Vite më vonë Fan Noli, dioskuri i Konicës, e përkthen mrekullisht librin e parë të “Don Kishotit”. Fan Noli shkroi edhe pesë ese për Servantesin, kryeveprën e tij dhe reflektimin te shqiptarët dhe problematika sociale e Shqipërisë.
Fan Noli bën kështu edhe një “shqiptarizim” (aktualizim) të Don Kishotit. Figura e Don Kishotit përdoret si metaforë në betejat e tij politike me kundërshtarët.
Po le të rikthehemi te Faik Konica. Ky erudit ka lexuar dhe e di literaturën dhe bibliografinë shkencore për Miguel Servantesin.
Tek libri “Albania, the rock garden of Sautheastern Europe” (“Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”.) Faik Konica shkruan se “vetë Servantesi na rrëfen se robëruesi dhe padroni i tij në Algjer ishte një pirat shqiptar, i quajtur Arnaut Mami, ose Shqiptar Memi”. Faik Konica u referohet autorëve Henry A. Ormerod, “Piracy in the Ancient World”, London, pp. 24-25, përkatësisht Mariano Thomas, “Life and Misadventures of Miguel de Cervantes”, London, (përkthyer në anglisht nga Waren B. Wells), 1934 p. 49.
Miguel Servantes mori pjesë në Betejën e Lepantos, ku u plagos dhe e humbi krahun e majtë.
Në 26 shtator 1575 Servantesi me vëllain e tij Rodrigon është kapur rob me anijen “El sol” nga pirati shqiptar Arnaut Mami, ndryshe i njohur si Muhamet Shqiptari.
Nuk dihet viti i lindjes. Ka vdekur në 1600. Vetë Servantesi tregon në librin e parë të “Don Kishotit” se në robërinë e tij disavjeçare “pirati shqiptar e trajtoi veçmas dhe mirë robin spanjoll”.
Pra, Servantesi ka një vlerësim pozitiv për piratin e tmerrshëm Arnaut Mamin.
Miku im ulqinak, prof. dr. Ruzhdi Ushaku botoi në vitin 2014 në Ulqin librin “Servantesi në Ulqin – mes gojëdhënave dhe realitetit”. Ai është marrë hollësisht me tezën se Servantesi i ka njohur shqiptarët, për më tepër në një rrafsh folkloristik gjoja Servantesi ka qenë edhe në Ulqin, ku qenka dashuruar me një vajzë të bukur ulqinake dhe se emri Dylqinja, e dashura e hamendësuar dhe mitike e kalorësit Don Kishoti e ka emrin të tillë prej emrit Dulqinea, në të cilin thirrej Ulqini në mesjetë.
Faik Konica, përpara tërë shqiptarëve që në 1900 mendon se gjatë robërisë, Servantesi ka komunikuar në gjuhën shqipe, por bën një tejkalim gazetaresk kur e cilëson “albanolog”. Më saktë, mund ta thërriste “albanofil”.
Te shkrimi i Konicës ka një lapsus për kalorësin Arnolt Von Harfinin, i cili e shkroi fjalorthin e tij gjermanisht (apo dialektin gjerman i holandishtes) dhe shqip në 1496 dhe jo siç thotë gabimisht Konica në 1596.
Po të mos harrojmë se revista “Albania” botoi tregimin e Servantesit në shqip “Forca e gjakut”. E kam lexuar këtë tregim të stilit pikaresk.
Çuditërisht tek “Albania” nuk thuhet përkthyesi. Mungon emri i përkthyesit. Po pse? Mendimi im paraprak është se ky përkthyes i parë shqiptar i Servantesit ka një meritë të padiskutueshme për njohjen e emrit të madh të Servantesit për letërsinë shqipe.
A mos e ka përkthyer “Forcën e gjakut” vetë Faik Konica?
Nuk duhet të nxitohemi. Duhet bërë një analizë serioze gjuhësore dhe stilistikore.
Tregimin “Spanjollja angleze” nuk e kam gjetur ende për ta lexuar.
Në spanjisht tregimi quhet “La Espanola inglesa”.
Është botuar përpara “La Fuerca de la sangre” (“Forca e gjakut”).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…