Prodhimi i kripës është themeli i mbijetesës së Kripores dhe i mbrojtjes së diversitetit në këtë zonë e cila është e rëndësishme në përmasa evropiane, është thënë sot në tryezën e rrumbullakët me emrin “Mbrojtja dhe valorizimi i resurseve natyrore të Kripores së Ulqinit” e cila u mbajt në hotelin “Olimpik”.
Në këtë tubim drejtuesit e NP “Parqet nacionale të Malit të Zi” kanë prezantuar Programin e menaxhimit të Kripores deri në gusht të vitit të ardhshëm, i cili përfshin edhe organizimin e grumbullimit të kristaleve të kripës.
Sipas fjalëve të sekretares shtetërore në Ministrinë e zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit Daliborka Pejoviq, çështja e Kripores është një nga kushtet e avancimit të Malit të Zi në procesin e negociatave integruese në BE. Ajo theksoi se Kriporja është e mbrojtur në nivel shtetëror, si dhe që kanë nisur procedurat që ajo të bëhet pjesë e zonave Ramsarko dhe Emerald, gjegjësisht që ajo të bëhet pjesë e trashëgimisë evropiane natyrore.
Të gjithë pjesëmarrësit në këtë tubim kanë theksuar rëndësinë e trajtimit të tërësishëm të kësaj zone të vlefshme, si dhe shprehën pritshmërinë që qiramarrësi, NP “Parqet nacionale”, do ta menaxhojë në mënyrë cilësore Kriporen.
Përndryshe, në tryezë të rrumbullakët ishin të pranishëm përfaqësuesit e Delegacionit evropian në Mal të Zi, përfaqësuesit e ambasadave të huaja, Organizatës turistike të Ulqinit, si dhe organizatave ekologjike nga vendi dhe jashtë.